Mungesa e kryetarit nuk është pengesë, PDK-ja të gatshëm për zgjedhje

18:34 | 4 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Nëse vendi shkon në zgjedhje, që po përmenden aq shumë, PDK-ja hyn në to pa kryetar të partisë. Brenda PDK’së thonë se nuk flitet për kryetar të ri, e analistët vlerësojnë se shkuarja në zgjedhje me liderin në burg, e dëmton partinë.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po shprehen se janë të gatshëm për zgjedhje. Madje për ta pengesë nuk është as mungesa e ish-kryetarit, të cilin e kanë duke u mbajtur në Hagë, nën akuzat për krime lufte.

Shaqir Totaj, nënkryetar i kësaj partie, ka thënë se brenda PDK’së nuk është duke u folur për emërimin e një kryetari, pasi që kjo parti tashmë e ka një të tillë.

“PDK gjithmonë është e gatshme për zgjedhje. Nëse zgjedhjet mbahen shpejt do të dalë më e fortë se ne zgjedhjet e fundit parlamentare”, ka thënë Totaj.

Nënkryetari i PDK`së ka thënë se brenda partisë nuk është duke u diskutuar për emërimin e kryetarit. Kjo pasi që sipas tij, PDK’ja e ka një të tillë.

“Jo nuk jemi duke diskutuar sepse PDK’ja e ka kryetarin”, ka thënë ai.

Mirëpo shkuarja në zgjedhje pa kryetar partie, sipas analistëve politikë në vend e dëmton PDK`në. Madje shkuarja në Hagë e ish-kryetarëve të kësaj partie Hashim Thaçi e Kadri Veseli, sipas analistit politik Imer Mushkolaj ka vështirësuar edhe më tej rrugën e PDK’së në këtë proces.

“PDK’ja identifikohet me Hashim Thaçin. Ne e dimë që edhe kur Kadri Veseli kur u zgjodh kryetar i PDK`së prapë se prapë PDK’ja identifikohej me Hashim Thaçin, pavarësisht që ai thuajse për pesë vite qëndroi në krye të Zyrës së Presidentit. Me këtë logjikë po them se është problematike për cilindo tjetër që mund të vjen në krye të PDK`së për të zëvendësuar njërin nga dy liderët e PDK-së”, ka thënë Mushkolaj.

Ndërsa për sa i përket mundësisë së shkuarjes së një partie politike në zgjedhje pa kryetar partie, Mushkolaj ka theksuar se PDK`ja nuk është rasti i parë.

“E kemi pasur edhe më parë rastin e AAK-së kur Haradinaj gjendej në gjykim në Hagë dhe mungesa e tij është reflektuar direkt në parti. Kjo për shkak se në Kosovë, partitë politike janë kryesisht parti lideriste ku rolin kryesor e luan lideri kryetari i partisë dhe jo ekipi. Kështu që mungesa e kryetarit ndikon direkt pastaj që partia të dëmtohet në kuptimin elektoral”, ka thënë më tutje ai për Express.

Njëjtë mendon edhe analisti Arton Demhasaj. Sipas tij, edhe pse nuk është e domosdoshme që një parti të shkojë në zgjedhje me kryetar partie, PDK`ja mund të penalizohet sepse për herë të parë ka mbetur pa një të tillë.

“Nuk mendoj që domosdoshmërish duhet që partia politike të ketë kryetar për të shkuar në zgjedhje. PDK`ja ka caktuar një ushtrues detyrë të kryetarit i cili është z.Hoxhaj dhe mendoj që pa problem kjo parti mundet të marr pjesë në zgjedhje edhe me ushtrues detyre. Në anën tjetër mendoj që mundet me dëmtu PDK-në në zgjedhje potenciale për shkak se për herë të parë mund të hyjë në zgjedhje pa liderin, pa kryetarin Veseli por edhe pa ish-presidentin për shkak se e dimë që edhe në të kaluarën edhe sa ka qenë president vazhdimisht e ka ndihmuar PDK`”, ka thënë ai duke shtuar se shkuarja në zgjedhje në këtë rast i PDK-së pa Veselin dhe Thaçin mundet me i sjell rezultat negativ.

PDK`ja ka mbetur pa kryetar partie, prej 5 nëntorit të këtij viti kur edhe i`u konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale, Kadri Veselit.

Me konfirmimin e kësaj aktakuze, Veseli mori vendim që të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet politike e publike.

Pozitën e kryetarit në PDK momentalisht është duke e ushtruar Enver Hoxhaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme