Edhe pse jemi ende në stinën e verës, reduktimet e rrymës tashmë kanë filluar dhe ato pritet që të ashpërsohen ditët dhe muajt në vijim, pavarësisht se kohë pas kohë po sigurohet energji e mjaftueshme.
Nga qeveria dhe nga KEDS-i ka disa javë që kanë paralajmëruar se do të ketë reduktime ditore, të cilat janë paraparë të jenë 6 orë me rrymë e 2 pa rrymë.
Megjithatë, në ditët e fundit, qytetarët dhe sidomos bizneset janë ankuar se reduktimet kishin filluar të shpeshtoheshin ku në realitet, ata u përballen me reduktime 4:2, e jo 6:2 siç ishte paralajmëruar në fillim.
Bizneset janë kategoria më e prekur nga kjo mungesë e rrymës, kjo sepse shumë prej tyre energjinë elektrike e kanë element jetik për veprimtarinë e tyre.
Sigurimi vetanak i energjisë elektrike thonë se është e kushtueshme dhe mund të ndikojë në rritjen e çmimit të produkteve të tyre.
Shumë prej tyre janë ankuar duke thënë se atyre po u pamundësohet puna dhe kështu, po e kanë shumë të vështirë që ta bëjnë punën siç duhet dhe kjo ka pasoja të rënda ekonomike për ta, e rrjedhimisht, këto pasoja ekonomike përcillen edhe në ekonominë e vetë shtetit të Kosovës.
Nga Aleanca Kosovare e Bizneseve thonë se i gjithë zhvillimi ekonomik i Kosovës është ndalur nga momenti kur kanë filluar të shfaqen reduktimet e rrymës, dhe ekonomia e Kosovës çdo ditë po i humb nga 1 milionë euro, dhe nëse merren parasysh të gjitha shpenzimet tjera që duhet bërë kur nuk ka rrymë, nga 16 gushti e deri më tash janë mbi 40 milionë euro që Kosova i ka humbur.
“Ritmi i zhvillimit ekonomik të Kosovës është ndalur në momentin kur ka filluar reduktimi, nga 16 gushti, dhe ne menjëherë kemi bërë një studim hulumtues lidhur me efektet e humbjes së bizneseve dhe u zbulua se humbjet janë alarmante; 1 milionë euro në ditë për ekonominë tonë, e në total në ekonominë e përgjithshme të shërbimeve, prodhimit, tregtisë së lirë, përfshirë institucionet e shtetit të cilët përdorin gjeneratorë dhe nuk ndalet rryma aspak, humbjet në tërësi deri në këtë periudhë janë pothuajse 40 milionë euro”, deklaroi kryetari i ABK-së, Agim Shahini.
Shahini për arbresh.info paralajmëroi se me ashpërsimin e reduktimeve edhe humbjet pritet të jenë më të mëdha se që kanë qenë deri në këtë kohë.
“Tash që janë shpeshtuar reduktimet pritet që humbjet të jenë edhe më të mëdha ku ne së shpejti do të dalim me një publikim tjetër të efekteve që kanë rritjet e orëve të reduktimeve dhe natyrisht se humbjet do të jenë shumë më të mëdha”, paralajmëroi Shahini.
Kryetari pranon se me këtë situatë janë ‘goditur’ rëndë prodhimtaria, gastronomia, ndërtimtaria e të gjitha shërbimet tjera që punojnë me energji elektrike.
“Kjo situatë e ka goditur edhe mundësinë që të vijnë investime të huaja, e që dita ditës janë në numër më të vogël, për shkak të mungesës së ofrimit të një pakoje lehtësuese për ta”, shtoi Agim Shahini për arbresh.info.
Reduktimet e rrymës kanë nxitur reagime të shumta nga të gjitha fushat, duke filluar nga politika, bizneset, tregtarët, punëtorët dhe të gjithë qytetarët e rëndomtë.
Kjo për shkak se institucionet përkatëse në bashkëpunim me KEDS-in, kanë dështuar të sigurojnë rrymë të mjaftueshme për veprimtaritë e ndryshme, të cilat, po ua vështirësojnë jetën qytetarëve, të cilët, në fund po e paguajnë faturën e të gjitha këtyre problemeve, që shpeshherë përkthehen në rritjen e çmimeve të shumë produkteve./Emir Abduramani/arbresh.info/
Ministrja Gërvalla lirohet nga akuza për mosraportim të pasu...
Berisha i PDK-së uron Ditën Ndërkombëtare të Televizionit
Vendosen posterë në veri me mbishkrimin “Ja ku jemi për Kris...
Qeveria mban mbledhje elektronike, këto janë tri vendimet
Sot i jepet lamtumira e fundit 21-vjeçarit nga Malisheva që ...
Arrestime të kundërligjshme dhe tortura fizike dhe psikologj...