“Mund të ndodh koalicioni”, PDK zbutet karshi Vetëvendosjes së Albin Kurtit

09:04 | 19 Maj 2024
E.H

“Zbutja” e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) përballë ekzekutivit ka hapur dyshime se mund të ketë një koalicion mes partisë së Memli Krasniqit dhe Vetëvendosjes së Albin Kurtit në zgjedhjet e ardhshme.

Se mund të këtë një koalicion mes Partisë Demokratike të Kosovës(PDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje(LVV) pas zgjedhjeve e thotë edhe analisti politik, Artan Demhasaj.

Demhasaj, përmend deklaratën e kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili ka thënë që nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti.

“Fakti që kryetari i PDK-së, veç publikisht u deklarua që nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti politike e as me VV-në, i bien që gjithçka është e mundshme pas zgjedhjeve varësisht nga rezultati, më shumë gjasa mund të ketë. Pra një ndryshim i qasjes së PDK-së ndaj VV-së dhe anasjelltas në një mënyrë edhe mund të ndikojë që pas zgjedhjeve mund të kemi një koalicion mes këtyre dy partive”, tha ai.

Për Arbresh.info, ai theksoi se PDK-ja është zbutur pas darkës me Kurtin të hënën.

“Në një farë mënyre duke e parë zbutjen e PDK-së ndaj VV-së pas darkës, fillimisht Krasniqi u deklarua që vendi duhet me shku në zgjedhje por nuk dha asnjë arsye se pse duhet me shku në zgjedhje, për shkak të keqqeverisjes apo gjëra të tilla që më herët i kanë përdor”, përfundoi ai.

Por, në rast të një koalicioni të mundshëm mes këtyre dy partive, më e dëmtuara del PDK-ja, mendon analistja politike, Afërdita Maliqi.

“Një koalicion i tillë do ta dëmtonte PDK, elektorati i së cilës janë të mllefosur se si VV e ka trajtu këtë parti e sidomos ish-liderët e saj, Thaçin e Veselin, që tashmë janë në Hagë”, tha Maliqi.

Ajo tha se duke pas parasysh të kaluarën e këtyre partive politike, me akuza dhe kundër akuza, shtoi se është herët për me mendu një koalicion.

Analistja përmendi faktin se VV e ka quajtur PDK-në si parti kriminale dhe se nuk beson që kjo kalohet aq lehtë.

Të hënën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ftoi të gjithë krerët e partive opozitare në një takim.

Përgjigje pozitive këtij takimi i dha vetëm Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në krye me Memli Krasniqin.

Në këtë takim Kurti pretendonte se do diskutohej rreth agjendës legjislative, ndërsa Krasniqi për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Takimi u mbajt në pasditen e së hënës në një nga hotelet luksoze të kryeqytetit.

Bashkë me Kurtin e Krasniqin, ishin edhe Mimoza Kusari-Lila dhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Pas takimit, Krasniqi para mediave ka treguar se cilat ishin pikat e diskutimit në takimin me Kurtin.

“Kemi pasur diskutime konsideroj të mira. Sa i përket Kuvendit edhe Ligjit në Kuvend, kemi diskutu edhe për ato. Zgjedhjet nuk janë dëshirë e jona, janë nevojë e vendit. Andaj këto ishin edhe thelbi i diskutimit që pata sot. Unë do të ruaj korrektësinë, i kam propozu edhe më herët më vjen keq që data 9 qershorit është jashtë kornizave. Besoj që ka ende data që janë brenda kësaj kornize kohore që shpresoj të kemi dakordim”, tha Krasniqi,

Krasniqi po ashtu kishte treguar edhe arsyet pse ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së Kurtit për takim.

“Unë kam ardhur në këtë takim, duke besu se interesi i qytetarëve të Kosovës është me u marrë me tema që u interesojnë atyre, jo ato që u interesojnë ambasadave. Duhet të kthehemi tek qytetarët, sepse 200 mijë qytetar kanë ikur se këtu nuk kanë gjetur një jetë të mirë”, ishte shprehur Krasniqi.

Në anën tjetër, përmes një njoftimi për media Zyra e Kryeministrit kishte bërë të ditur se temë qendrore e diskutimit ishte mbarëvajtja e punës së Kuvendit dhe përmbushja e agjendës legjislative në Kuvend për sesionin pranveror, përkatësisht votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ndërkohë, dy ditë pas takimit, kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza mbajti konferencë për media.

Hamza bëri të ditur se PDK do t’i votojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës.

“PDK do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare. Për ne, për mua si kandidat për kryeministër, prioritetet janë të qarta. Fillimisht interesi i vendit, pastaj i partisë politike dhe në fundi i yni si individë brenda partisë politike, por mbi të gjitha e përtej të gjithave interesi i qytetarëve të vendit. Fatkeqësisht, Kosova është nën masa, nën sanksione dhe janë qindra miliona euro të bllokuara”, u shpreh Hamza të mërkurën para mediave.

Të enjten Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar 10 marrëveshje ndërkombëtare. Ky miratim është bërë i mundur pasi pro këtyre marrëveshjes ka votuar edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila deri me tani kishte refuzuar të marrë pjesë në votimin e këtyre marrëveshjeve.

Mbetët të shihet nëse do të ketë një koalicion mes këtyre dy partive/Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme