MSh sqaron shkarkimin e Bordit të SHSKUK-së – Naser Ramadani vazhdon të jetë drejtor i IKSHPK-së

21:23 | 28 Mars 2020
Arbresh.info

Ministria e Shëndetësisë, ka sqaruar arsyet se pse është shkarkuar Bordi i vjetër i SHSKUK-së dhe është emëruar i riu.

Përmes një komunikate njofton se drejtori Naser Ramadani, vazhdon të jetë në detyrën e tij si drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Sot u emërua Bordi i ri të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK), Ministria e Shëndetësisë dëshiron të bëjë me dije se prej sot bordi deri tani jo funksional prej këtij vendimi të Qeverisë së Republikës së Kosovës është plotësisht funksional dhe do t’i dalë në ballë sfidës më të jashtëzakonshme që e ka Shërbimi ynë spitalor. Për dijeni tuaj të nderuar qytetarë, me rënien e Qeverisë paraprake, bordi pati mbetur jo-funksional, pa kuorum, për shkak të largimit të disa prej anëtarëve”, thekson ndër tjera MSH-ja.

“Në kohën kur bota po ballafaqohet me një pandemi të rrezikshme siç është Koronavirusi Covid-19 dhe rrjedhimisht edhe Kosova, për Ministrinë e Shëndetësisë është shumë e rëndësishme që SHSKUK si ofruesi kryesor i shërbimeve shëndetësore dytësore dhe tretësore në vend të jetë funksional dhe në shërbim karshi situatës së krijuar”.

“Ju njoftojmë po ashtu se prof. Dr. Naser Ramadani, vazhdon të jetë drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, i cili bashkë me kolegët janë 24/24 në krye të detyrës. Koordinimi me MSh-në si autoriteti më i lartë shëndetësor në vend dhe me nivelet e tjera të kujdesit shëndetësor ka qenë i shkëlqyer edhe falë punës dhe angazhimit të IKSHPK-së”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se “Me propozimin e Prof. Ramadanit dhe pëlqimin e tij, përfaqësues i IKSHPK-së në Bordin e SHSKUK-së është zgjedhur dr. Xhevat Jakupi, mikrobiolog, i cili është përgjegjës për testimit me RT-PCR të mostrave të mbledhura për testim në COVID-19”.

“Sa i përket Bordit të ri të SHSKUK-së, delegimi i anëtarëve të këtij bordi, është bërë sipas legjislacionit në fuqi, duke respektuar të gjitha normat e parapara dhe mbi të gjitha duke marrë parasysh misionin e madhe të cilin e bartin këta profesionistë shëndetësorë në këto rrethana”, përfundon njoftimi.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme