MSH kërkon ndjesë, gaboi në publikimin e shifrave të dozave të vaksinave kundër Covid-19 brenda 24 orëve

16:52 | 23 Korrik 2021
L G

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar ndjesë për publikimin gabim të të dhënave të shifrave zyrtare rreth numrit të dozave të vaksinave kundër Covid-19 të administruara në 24 orët e fundit.

Sipas sqarimit të MSH-së, në raportin e sotëm të publikuar janë llogaritur shifrat e dy ditëve të fundit./arbresh.info/

Sqarimi i plotë:
Sqarim rreth të dhënave për vaksinimin kundër COVID-19
Ministria e Shëndetësisë dëshiron t’i kërkojë ndjesë publikut për një lëshim teknik të bërë gjatë ditës së sotme me rastin e komunikimit të shifrave zyrtare rreth numrit të dozave të vaksinave kundër COVID-19, të administruara në 24 orët e fundit.
Në raportin e sotëm, janë llogaritur shifrat e dy ditëve të fundit, andaj rrjedhimisht edhe numri i dozave të administruara në raport ka rezultuar të prezantohet më i lartë.
Duke kërkuar mirëkuptim dhe shprehur falënderim për kujdesin e treguar nga publiku dhe bashkëpunimin në evitimin e lëshimeve të tilla, ju lusim të gjeni raportin e korrektuar me të dhënat nga vaksinimi kundër COVID-19 në Kosovë.
#Bashkëiadalim
RAPORTI

23 Korrik 2021: Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon:
Në 24 orët e fundit janë dhënë 9.608 doza të vaksinës kundër COVID-19.
Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 343.333 doza të vaksinës.
Deri më sot 102.210 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.
Nga 2.267 testime, 19 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes.
Sot janë shëruar 7 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 105.582.
Në total numri i rasteve aktive është 126.

Të ngjashme