MPMS tregon mënyrën e aplikimit për pensionistët e arsimit të viteve të 90’ta

12:38 | 24 Korrik 2019
Arbresh.info

Së shpejti pritet të fillojë kompensimi shtesë për mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përmes një njoftimi ka bërë të ditur mënyrën e aplikimit për pensionistët e arsimit të viteve 1990-1999.

“Njoftohen të gjithë ish-punëtorët e arsimit shqip të Republikës së Kosovës që kanë punuar për periudhën 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, se nga data 15.08.2019 MPMS fillon zbatimin e Ligjit Nr.06/L-073 për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës, andaj me qëllim të realizimit të kësaj të drejte, njoftoheni se kërkesat për kompensim shtesë mund të dorëzohen në zyrat më të afërta të pensioneve”, thuhet në njoftim.

Personat që paraqesin kërkesat prej datës 15.08.2019 deri më 31.11.2019, thuhet tutje, aq sa është i hapur afati, do ta realizojnë të drejtën për kompensimin në mënyrë retroaktive, që nënkupton nga data e hyrjes në fuqi të ligjit Nr.06/L-073 për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip të Republikës së Kosovës, (prill 2019).

Kërkesës duhet t’i bashkëngjiten këto dokumente:

 Kopja e lejes së njoftimit të Republikës së Kosovës;

• Ekstrakti i lindjes;

• Ekstraktin e kurorëzimit (për pension familjar);

• Faturën e tatimit në pronë;

• Vërtetimin nga Drejtorati Komunal i Arsimit, apo Rektorati për periudhën e shërbimit në sistemin e arsimit shqip të Republikës së Kosovës;

• Kopjen e vendimit për përfituesit e pensionit bazë, përkatësisht kontributiv.

“MPMS u bënë apel të gjithë ish-punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, që t’u përmbahen afateve për parashtrim të kërkesës, derisa formularin dhe udhëzimet e nevojshme mund të merren në të gjitha Zyrat e Pensioneve. Mos parashtrimi i kërkesës, përkatësisht mos respektimi i afateve për parashtrim të kërkesës, bartë pasojat e mospagesës së retroaktivitetit të pensionit”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se ky kompensim u mundësohet në bazë të Ligjit për statusin e punëtorëve të arsimit shqiptar të Republikës së Kosovës nga viti 1990 deri më 1999, i cili është miratuar në muajin shkurt të këtij viti, por që ende nuk ka filluar zbatimi i tij në praktikë.

Mësimi në Kosovë gjatë viteve të 90-ta është zhvilluar nëpër shtëpitë-shkolla, sipas organizimit paralel që kishin vendosur atë kohë përfaqësuesit politikë shqiptarë, duke kundërshtuar nënshtrimin ndaj politikës së Beogradit dhe ish-liderit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme