MPJ kërkon nga disa zyrtarë në Bruksel që procesin e liberalizimit të vizave të mos e ndërlidhin me dialogun

16:18 | 15 Nëntor 2019
A. B.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës nëpërmjet një njoftimi për media vlerëson se është e gabuar përpjekja e disa zyrtarëve të rinj në Bruksel për të lansuar idenë që liberalizimi i vizave për kosovarët të ndërlidhet me përfundimin e dialogut në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

“Kjo ide jo vetëm që është shkelje eklatante e së drejtës për lëvizje të lirë, por po ashtu është edhe ngatërrim i dy çështjeve, pra dy proceseve që nuk mundet dhe nuk duhet të ndërlidhen. Dialogu si mjet i vetëm për ruajtjen e paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në rajon në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë ka për qëllim të ndërtoj bazamentin për vendosjen e marrëdhënieve të mira ndër-fqinjësore. Dialogu në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe proceset në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian duhet të ecin ndaras dhe pa kushtëzime”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duhet të mbahen peng të ideve “interesante”, tekeve dhe vullneteve të pamatura dhe imponuese, pavarësisht se nga kush vijnë si ide.

“Dialogu duhet të ketë rrjedhën e vet dhe nuk duhet të has në obstruksion nga ide që kanë për qëllim ta ndryshojnë kontekstin e zgjidhjes së problemeve të grumbulluara nga konflikti Republikë e Kosovës – Republikë e Serbisë, në një kontekst rajonal, apo në procese që Kosova ka karshi Brukselit zyrtar. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës vlerëson se jo-konstruktiviteti i imponuar dhe superior do të mbingarkojë agjendat, sepse imponimet dhe devijimet kanë premisa të keqkuptimit dhe keqinterpretimit, dhe për më tepër vështirë se do të hasin në mirëkuptim për të ofruar zgjidhje të pranueshme”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /arbresh.info/

Të ngjashme