Google ADS

MPJ jep detaje nga takimet që ajo zhvilloi me shtetin e fundit që ka njohur Kosovën

23:14 | 8 Maj 2022
A. B.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është në vizitë zyrtare në Izrael, shteti i fundit që ka njohur Kosovën.

Ministria e Punëve të Jashtme ka dhënë detaje për të gjitha takimet që ka zhvilluar Gërvalla sot, prej atij me kryetarin e Federatës Izraelite të Odës Ekonomike të Izraelit, deri tek vizita në Universitetin Bar Ilan në Tel Aviv.

Kjo është komunikata e plotë e MPJ-së:

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Izrael, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, e shoqëruar ndër të tjera nga përfaqësuesja e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri, dhe ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, pati një takim me kryetarin e Federatës Izraelite të Odës Ekonomike të Izraelit, Uriel Lynn, anëtarin e kryesisë Roy Roznek si dhe përfaqësues të tjerë të Odës.

Gjatë takimit u bisedua rreth mundësive që ofron Kosova për investime të huaja, potencialit të saj të madh dhe mundësive të bashkëpunimit mes dy vendeve, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët dhe veprimeve të planifikuara nga Qeveria e Kosovës për të nxitur bashkëpunimin mes ndërmarrësve kosovarë dhe izraelit.

Më pas delegacioni i Republikës së Kosovës vizitoi Universitetin Bar Ilan në Tel Aviv.

Gjatë takimeve me përfaqësues të universitetit, profesorë dhe studentë u bisedua rreth mundësive për vendosjen e një bashkëpunimi intensiv mes universiteteve të ndryshme të Kosovës dhe Universitetit Bar Ilan në ngritjen e cilësisë së plan programeve mësimore, ofrimin e bursave për studentë, organizimin e vizitave studimore për studentë dhe personel akademik dhe pjesëmarrjen e studentëve izraelit në aktivitete të ndryshme në Kosovë.

Në kuadër të fakultetit të muzikologjisë, ministrja Gërvalla bisedoi me grupin e studentëve me nevoja të veçanta të këtij universiteti, rreth ofertës së universitetit dhënë këtyre studentëve dhe sfidave të tyre. Biseda u përmbyll me pyetje të studentëve rreth Kosovës dhe një koncert të shkurtër. Biseda dhe takime u zhvilluan edhe me fakultetet e inxhinierisë si dhe institutin e nanoteknologjisë. Si nga universiteti izraelit, ashtu edhe nga delegacioni i Kosovës u theksuan mundësitë për një bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat.

Në takimin me organizatën joqeveritare “Birthright Taglit” në Modiin, e cila si detyrë të saj parësore sheh ofrimin e mundësisë për secilin hebre të ri në të gjithë botën që ta vizitojë dhe njohë Izraelin, ministrja Gërvalla u takua me themeluesin dhe drejtuesin e kësaj organizate, Gidi Mark, me të cilin u shkëmbyen përvojat e ndryshme të diasporës hebreje dhe asaj shqiptare si dhe mundësitë e bashkëpunimit të ndërsjellët rreth temave të diasporës dhe mërgatës.

Dita e parë e vizitës në Izrael u përmbyll në Jerusalem me një darkë pune, në të cilën ishin ftuar gra prominente izraelite si Dana Ëeiss, gazetare dhe analiste e njohur politike në Chanel 12, Avital Leibovich, drejtuese e Komitetit Amerikano-Hebraik në Jerusalem, Dr. Granit Almog-Bareket, drejtuese e njësisë për lidership në fushën e edukimit pranë institutit Mandel, Dana Gavish, themeluese e qendrës së ndërmarrësisë Yazamut 360 pranë Universitetit Ben Gurion, Hana Rado, themeluese e Social Enterpreneur-Supersonas dhe Grupi 19 dhe Mirit Frenkel, drejtuese e “Sunrise”.

Delegacioni i Republikës së Kosovës gjatë ditës së nesërme do të takohet me Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit Yair Lapid, Kryetarin e qytetit të Jerusalemit, kryetarin e grupit të miqësisë Izrael-Kosovë në parlamentin izraelit, kryetarin e komisionit parlamentar për punë të jashtme dhe mbrojtje të parlamentit, ministrin e Jerusalemit dhe trashëgimisë dhe përfaqësues të tjerë të jetës politike në Izrael.

Takimet e ditës së nesërme fillojnë me vizitën e ministres Gërvalla në Qendrën Përkujtimore Botërore të Holokaustit Yad Vashem./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme