Google ADS

MPB shënon 18 tetorin si ditën Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore

14:19 | 18 Tetor 2021
Arbresh.info

Ministria e Punëve të Brendshme ka shënuar sot 18 tetorin, Ditën e BE-së Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka njoftuar MPB përmes një komunikate me shkrim.

Ky aktivitet është hapur nga Koordinatori Nacional Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, njëherit zëvendësministër i MPB-së, z. Blerim Gashani, shkruan arbresh.info.

Në këtë aktivitet të pranishëm ishin prezentë përfaqësuesit e  ICITAP-it, Këshillit të Evropës, OSBE-së, GIZ-it, Terres des Hommes dhe donatorë të tjerë, si dhe anëtarët e Autoritetit Kombëtar.

Me këtë rast zëvendësministri Gashani ka thënë se rishtazi është bërë publik edhe raporti i GRETA-s, raporti i dytë i përputhshmërisë së Kosovës me standardet e Konventës së Këshillit të Evropës për Masat kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

“Sot, kur po takohemi së bashku, para jush zotohem se do të punojmë në përmbushje të rekomandimeve, jo vetëm të këtij raporti, por të gjitha raporteve me rëndësi të veçantë për ne, siç është edhe TIP Raporti i SHBA-ve, në mënyrë që të sigurojmë pajtueshmërinë e plotë me standardet evropiane dhe ndërkombëtare në luftën kundër trafikimit me njerëz dhe për mbrojtje dhe mbështetje të plotë për viktimat e trafikimit në të gjitha nivelet e referimit të tyre”, theksoi Gashani.

Po ashtu në këtë ceremoni Gashani ka thënë se pandemia me COVID 19, ka krijuar sfida në menaxhim gjithëpërfshirës të pandemisë, specifikisht ka prekur edhe veprimet në fushën e parandalimit dhe luftimit të trafikimit dhe, gjithashtu, trajtimit të viktimave.

“Raportet ndërkombëtare tregojnë që trafikuesit kanë përfituar nga kjo krizë dhe gjendja e dobët ekonomike e krijuar si rezultat i pandemisë, dhe është shënuar rritje e trafikimit për keqpërdorim seksual sidomos nëpërmes internetit (rrjeteve sociale), si pasojë e mbylljes dhe kufizimit të lirisë së lëvizjes”, theksoi Gashani.

Ai tha se nga pozicioni i Koordinatorit, do të bëj të pamundurën në përkrahje dhe inicim të proceseve, të cilat ndikojnë në parandalim dhe luftim të trafikimit me qenie njerëzore, gjithashtu proceseve që sigurojnë mbrojtjen dhe trajtimin e duhur të viktimave.

Ndërsa Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në Policinë e Kosovës, z. Fehmi Gjata ka bërë të ditur se gjatë periudhës janar shtator të këtij viti janë iniciuar 95 raste për hetimin në dyshim për Trafikim me Qenie Njerëzore dhe vepra tjera që ndërlidhen me trafikim.

“Janë identifikuar 15 viktima të trafikimit, është shkatërruar një grup kriminal me gjithsejtë 8 persona, janë realizuar 22 plane operative, ku janë kontrolluar gjithsej 114 objekte të ndryshme etj. “/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme