Google ADS

Motra e Memli Krasniqit, merr projekt 216 mijë euro në RTK

16:04 | 19 Shkurt 2019
Arbresh.info

Ta kesh vëllain politikan është përparësi. E kur qëllon që është edhe shef i grupit të deputetëve të PDK-së, rrugët të hapen për projekte që financohen shtrenjtë nga fondet publike. Fjala është për motrën e deputetit të PDK-së dhe shef i grupit parlamentar të kësaj partie, Memli Krasniqit. Aktorja Teuta Krasniqi, ka fituar tenderin e mediumit publik, RTK-së për realizimin e serialit “ISTAR” nga “Teuta Production Company”.

Sipas dosjes së tenderit, kontrata ka hyrë në fuqi me datën e nënshkrimit 8 shkurt 2019 dhe do perfundojë në afat prej 12 muajve.

Tenderi i fituar për realizimin e këtij seriali për adoleshente, përmban 24 episode, me një kosto prej 216 mijë euro, ndersa kostoja e një episodi vlerësohet të jetë rreth 9 mijë euro.

Kostoja per realizimin e nje episodi, cilësohet disa herë më e shtrenjtë sesa realizimi i një episodi i ndonjë seriali tjetër të kësaj natyre, thonë producentë të njohur kosovarë në kushte anonimiteti për “SyriKosova”.

Në dosjen e tenderit në fjalë, kërkesa për dhënien e kësaj kontrate, ndaj kësaj kompanie është arsyetuar pasi ka ardhur si ide që të realizohet si projekt i nevojshëm për nevojat e RTK-së, në menyrë që të mbushet zbrazëtia e programacionit për grupmoshën e adoleshentëve.

Megjithatë, RTK vazhdimisht ankohet se ka borxhe milionëshe, ndërsa nga ana tjetër, nuk ka hezituar të nënshkruajë kontrata me vlera të larta, siç është kjo me motrën e deputetit të PDK-së, ish-ministër i kulturës dhe bujqësisë, Memli Krasniqi.

Në seancën ku u miratua ligji për pagat, Krasniqi u shpreh kundër përfshirjes së RTK-së, në këtë ligj që përcaktonin tavanin e pagës për menaxhmentin e lartë të mediumit publik.

“Propozoj që edhe formalisht në Ligjin për RTK-në, ky televizion të shndërrohet në televizion shtetëror. Por, dijeni se ky është gabim”, ka thënë Krasniqi, pasi nuk u votua propozimi i tij për heqje të amendamentit që e përfshinte RTK-në në Ligjin e Pagave.

Sindikata e punëtorëve të këtij televizioni, ka drejtuar akuza për abuzime financiare, punësime të parregullta, nepotike dhe ndikim politik në RTK.

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme