Mosinteresim i serbëve për targa RKS, analistët kërkojnë veprime të kujdesshme nga Qeveria e Kosovës

10:08 | 9 Tetor 2022
A Z

Vetëm nëntë qytetarë serbë në veri deri më tani e kanë bërë regjistrimin e makinave në targa të Republikës së Kosovës (RKS).

Procesi i regjistrimit të targave ilegale në targa të Republikës së Kosovës RKS po shihet si i ngadalshëm, ani pse për të ndërruar targat serbët këtë mundësi e kanë pa pagesë.

Afërdita Maliqi analiste politike thotë për arbresh.info se qytetarët serbë po favorizohen, duke lënë anash qytetarët tjerë.

“Strategjia e institucioneve edhe pse ka qenë joshëse për serbët nuk do të këtë suksese, për shkak të qëndrimit zyrtar të Serbisë karshi Kosovës. Pavarësisht kësaj, institucionet e Kosovës janë duke i diskriminuar qytetarët tjerë dhe janë duke i favorizuar ata serbë, jo vetëm me regjistrimin e veturave, por edhe me rrymë. Kjo praktikë do të duhej të ndërpritet”, tha Maliqi.

Po ashtu Maliqi tha se procesi i regjistrimit të veturave serbe me targa të Republikës së Kosovës (RKS) është i ngadaltë për shkak se serbët në vendin tonë, veçanërisht në veri janë të instrumentalizuar nga Serbia.

Sheholli: Konfiskimi i veturave me targa të vjetra do prodhonte protesta e padëgjueshmëri nga serbët në veri

Njëjtë këtë situatë e sheh edhe analisti dhe drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli.

Ai thotë se Serbia po bënë presion të jashtëzakonshëm ndaj serbëve veçanërisht në veri.

“Serbia nuk po lejon që targat të kthehen në RKS dhe kjo mos bindje e qytetarëve të veriut është problem politik, andaj ne si institut kemi dal me një komunikatë ku kemi ftuar Presidenten dhe Kryeministrin e Kosovës të bashkëbisedoj me serbët e Kosovës me qëllim të arritjes së kësaj çështjeje, kjo është arsyeja kryesore që deri sot i kemi nëntë automjete të regjistruara në tërë Kosovën”, pohon Sheholli.

Sheholli ka frikë se do të ketë probleme të jashtëzakonshme në këtë aspekt.

“Sipas gjitha gjasave 1 nëntori është shumë afër dhe ne do të kemi probleme të jashtëzakonshme në këtë aspekt. Nuk e dimë se në çfarë forme MPB-ja dhe organet e tjera të sigurisë mundë 10.000 automjeteve që janë të regjistruara në ato targa që të i konfiskoj apo çfarë forme do të gjejnë të veprimit për këtë aspekt” , shprehet Sheholli.

Sipas tij, varet prej veprimeve të MPB-së nëse këta njerëz, të cilët do t’i vozisin ato makina me targa KM, GL etj, që dalin në rrugë.

Ai se nëse konfiskohen nga Policia e Kosovës veturat me targa të vjetra mund të vije deri te shpërthimi i problemeve, përfshi edhe protesta dhe padëgjueshmëri nga qytetarët serb në veri.

Bunjaku: Shpresat i kam zero te kjo qeveri, çfarëdo marrëveshje që bëjnë ata me Serbinë realisht nuk pritet diçka

Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Valentina Bunjaku nuk shpreson se do të ketë zgjidhje të kësaj situate.

“Shpresat i kam zero te kjo qeveri, çfarëdo marrëveshje që bëjnë ata me Serbinë realisht. Nuk pritet diçka nga kjo qeverisje realisht edhe me Serbinë edhe me qytetarët. Gjitha marrëveshjet që i ka po i zbaton, marrëveshjet paraprake ndërsa për marrëveshje të reja nuk bëhet fjalë, por edhe marrëveshjet paraprake nuk ka mund me i zbatu karshi Serbisë, sepse Serbia është e njëjta si me qeverisjet e kaluara, si me qeverinë Kurti, e asgjë nuk ndryshon”, thotë Bunjaku.

Ajo thekson se është përgjegjësi e qeverisë Kurti të menaxhojë situatën në veri edhe në tërë territorin e Kosovës.

Ndërsa Afërdita Maliqi vlerëson se Kosova duhet të jetë e kujdesshme dhe nuk duhet të lëshojë pe në raport me regjistrimin e veturave serbe, pavarësisht se sipas saj, Serbia do të tentojë të bëjë obstruksione dhe të nxisë pakënaqësi për ta dështuar komplet këtë proces.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës, të mërkurën e 29 qershorit, kishte zhvilluar mbledhje elektronike në të cilë​n kishte miratuar vendimin për të mundësuar regjistrimin e automjeteve me targa RKS për të gjitha automjetet e pajisura me targat “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” apo “ĐA”, si dhe vendimin për kalimin e kufirit shtetëror nga qytetarët me dokumente personale të lëshuara nga autoritetet e Serbisë.

Sipas këtij vendimi, regjistrimi do të fillonte me datë 1 gusht 2022 dhe do të zgjaste deri më 31 shtator 2022.

Vendimi për konvertimin e targave në ato legale ishte marrë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 29 qershor dhe ishte planifikuar që të fillojë së zbatuari më 1 gusht, por për shkak të tensioneve që u krijuan në veri të Kosovës, vendimi u shty për një muaj. Vendimi hyri në fuqi më 1 shtator.

Ndërkohë qeveria u ka mundësuar qytetarëve serbë që deri më 31 tetor të këtij viti të largojnë targat ilegale dhe të vendosin ato RKS./ arbresh.info/ Vjollca Gajraku/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme