Moscertifikimi i Listës Serbe, OSBE i bënë thirrje KQZ-së ta ruajë integritetin e zgjedhjeve

22:12 | 23 Dhjetor 2024
E.H

Lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, ka reaguar edhe Misioni i OSBE-së në Kosovë.

Në reagimin e tyre, OSBE i ka bërë thirrje KQZ-së që të ruajë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë, përcjell Arbresh.info

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka luajtur një rol kyç në nxitjen e demokracisë dhe lirive politike në Kosovë për dekada, me mbështetjen e vazhdueshme të OSBE-së. Misioni vëren me shqetësim se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot nuk e ka certifikuar Listën Serbe”, thuhet në reagim.

“Procesi i certifikimit është një çështje procedurale që mbështet zgjedhjet demokratike dhe duhet të jetë pa konsiderata politike. Ne i bëjmë thirrje KQZ-së që të ruajë integritetin e procesit zgjedhor në Kosovë dhe të sigurojë që hapat e mëpasshëm të jenë gjithëpërfshirës dhe në përputhje me parimet demokratike”, thuhet në reagimin e OSBE-së./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme