Google ADS

Mosbesimi ngritë “barrikadat” ndërmjet Vetëvendosjes e LDK-së

08:30 | 8 Dhjetor 2019
L G

Mosbesimi dhe kërkesat jashtë kornizës, janë dy çështje që po ngritin barrikada dhe vështirësi për të arritur marrëveshjen për bashkëqeverisje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, thotë se posti i Presidentit nuk duhet të jetë pjesë e pazareve mes dy partive gjatë negociatave për marrëveshje të koalicionit.

“Mosbesimi ka ngrit nevojën për të ngritur barrikada mes tyre. Pastaj kërkesat janë jashtë kornizës më të cilën formohen institucionet”, vlerëson Krasniqi, shkruan arbresh.info.

Ai beson se kërcënimi me zgjedhje është vetëm një “blof” dhe se askush nuk e ka të sigurt rezultatin e zgjedhjeve.

“Pra zgjidhja e drejtë është tejkalimi i mosbesimit dhe reduktimi i kërkesave në këtë fazë, kur duhet të konstituohet Kuvendi dhe të formohet Qeveria. Unë nuk besoj, dhe s’ka logjikë të heqin dorë nga arritja e marrëveshjes, pasi që mund të mendohet se s’kanë guxim të ecin përpara, dhe këto parti pastaj do të kishin probleme karshi votuesve”, deklaron Krasniqi.

Por, politikologu, Ramush Tahiri, fajin për gjithë këtë bllokim ja hedh LDK-së, duke shtuar se kjo parti kërkon skenarin e njejtë me të cilin e ka ulur në ulësen e Presidentit, Hashim Thaçin.

“Më shku në zgjedhje Vetëvendosja e dyfishon numrin e  deputetëve. Kjo është veç parashikim. Këta duhet të ruajnë ligjin e Kushtetutën në marrëveshje. LDK-ja po don me marr më shumë se sa që i takon me ligje, e Kushtetutë. Po do me ba, qeta që e ka ba atëherë me Thaçin. Po do me rezervu vendin e Presidentit”, vlerëson Tahiri.

Ai shton se pas një viti askush s’mund të garantojë se kjo Qeveri do të jetë funksionale, edhe në rast të një dakordimi në lidhje me postin e Presidentit.

“Këta nuk  i garanton askush se mbas një viti mundet mu prish koalicioni dhe Qeveria. Ju kujtohet kur ke vota e mosbesimit, dhe LDK atë kohë mbeti vetë. Tash mundet me shku vendi në zgjedhje  vetëm në rast se ka shkelje, apo nuk bëhet Qeveria si duhet”, deklaron Tahiri.

Përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion po vazhdojnë. Mirëpo, posti i Presidentit dhe ndarja e dikastereve është bërë “mollë sherri” për të zvarritur nënshkrimin e marrëveshjes.

Madje ditëve të fundit është ashpërsuar edhe gjuha karshi njëra tjetrës.

Anëtarët e LDK-së thonë se janë të gatshëm të arrijnë një marrëveshje, por me kushte deri më tani të pa pranueshme nga partia fituese e zgjedhjeve të gjashtë tetorit.

Në anën tjetër, Vetëvendosje tashmë ka shpeshtuar deklarimet për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja në rast se nuk arrijnë pajtueshmëri me LDK-në./V.Selimi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme