Mos verifikimi i zyrtarëve shtetërorë nga AKI nuk është zgjidhje!

14:09 | 24 Tetor 2016
Arbresh.info

Ligji për Klasifikimin e Informacioneve dhe Verifikimin e Sigurisë është në fazën e hartimit të tij dhe pritet të ketë ndryshime, sidomos në ato çështje të cilat janë ngritur si problem më herët.
Zyra Ligjore në Zyrën e Kryeministrit, ka bërë të ditur për “Arbresh.info” se Komisioni i themeluar nga qeveria tashmë ka nisur punën e tij në plotësimin dhe ndryshimin e këtij ligji.

“Me qëllim të përgatitjes së këtij Projektligji Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarr të gjitha veprimet e duhura në përputhje me Rregulloren e punës së Qeverisë, ku ka themeluar Komisionin për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe verifikimin e sigurisë. Projektligji është në fazën e hartimit dhe Komisioni gjatë hartimit të tij do ti trajtojë të gjitha çështjet e ngritura gjatë zbatimit të Ligjit për Klasifikimin e Informacioneve dhe verifikimin e sigurisë”, është shprehur Zyra Ligjore e kryeministrisë.

Ndërsa Agjencia Kosovare e Inteligjencën nuk ka kthyer ndonjë përgjigje rreth asaj se a është duke u bërë aktualisht verifikimi i zyrtarëve të lartë shtetëror, deri sa Departamenti për Verifikim të Sigurisë ndodhet ende në këtë institucion.
Mirëpo, as largimi i Departamentit për Verifikim të Sigurisë nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës,dhe vendosja e tij në cilindo institucion,duket se nuk është zgjidhje. Ekspert të çështjeve të sigurisë kanë vlerësime të ndryshme sa i përket kësaj çështje. Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Rexhep Selimi, pohon se problemet dhe mos respektimi i vendimeve të këtij departamenti rreth mos kalueshmërisë së testit të verifikimit do të vazhdojnë edhe pas bartjes së këtij departamenti në kryeministri.

Kjo sipas Selimit, për shkak se shteti i kapur ka arritur që ta përplas këtë ndikim të vetin kudo që është, andaj ky departament sipas tij, nëse kalon nga një institucion në institucion tjetër i bije vetëm të kaloj nëpër tentakuklat e këtij pushteti që e ka kapur shtetin.
“Ajo çfarëdo të duhej të ndodh tash është jo të ndërrohet vendi, por të respektohen të gjeturat e këtij departamenti, që ka të bëj me verifikimin e deritanishëm. Një ndër institucionet që nuk e kanë respektuar këtë vendim është Policia e Kosovës”, shprehet Selimi.
Ai, është skeptik sa i përket respektimit të vendimeve të këtij departamenti, edhe nëse i njëjti bartet në kryeministri, pasi sipas tij, nuk ndryshon asgjë nëse ky departament bartet nga një pistë në pistën tjetër.

Sipas tij, duhet të zbatohen fillimisht të gjeturat e këtij komisioni, të bëhen publike dhe të realizohen.
“Jo zyrtarisht ne dimë se të gjeturat e këtij institucioni sidomos kundrejt policisë janë tejet skandaloze. AKI e ka kryer punën e vet, por policia nuk po e zbaton. E kjo për shkak se shumë udhëheqës të tashëm të policisë, të cilët njëkohësisht janë të ndikuar politikisht kanë rezultuar që nuk e kanë kaluar verifikimin e sigurisë”, ka pohuar Selimi për “Arbresh.info”.
Por ndryshe nga anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, mendon Skender Perteshi, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë.
Ai thotë se zhvendosja e Departamentit të Verifikimit të Sigurisë nga AKI, si agjenci e veçantë në kuadër të Qeverisë së Kosovës, është një iniciativë e mirë, e cila do të ndihmojë më shumë në pavarësimin e këtij institucioni.

“Largimi i këtij departamenti nga AKI, pritet të evitoj problemet e verifikimit të sigurisë me të cilin është përballur ky departament në tre vjetët e fundit, ku si shkak një pjesë e institucioneve të sigurisë nuk i ka zbatuar vendimet e këtij departamenti lidhur me verifikimin e sigurisë për zyrtarët publik që kishin qasje në nivele të ndryshme të informacioneve të klasifikuara”, ka pohuar Perteshi.
Respektimi i vendimeve të verifikimit të sigurisë të cilat dalin nga Departamenti i Verifikimit të AKI-së, sipas tij, janë obligative dhe duhen zbatuar menjëherë nga ana e institucioneve publike në Kosovë.

Por, problemi i verifikimit të sigurisë së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, sipas Perteshit, pritet të bartet sërish, sepse Kuvendi i Kosovës, sipas tij, nuk pranon të verifikohet nga një institucion ekzekutiv, siç është Qeveria e Kosovës apo Departamenti i Verifikimit të Sigurisë.
Ai vlerëson se vendosja e departamentit të verifikimit të sigurisë në kryeministri mund të forcojë pozicionin e këtij institucioni dhe nuk mund të ndikohet më nga drejtori i AKI-së, apo mekanizma tjerë me ndikim.

Mirëpo sipas tij, para zhvendosjes së departamentit të verifikimi të AKI-së, në një institucion tjetër, duhet të bëhet një vlerësim i thukët profesional brenda stafit të verifikimit të AKI-së, si dhe të shikohen nevojat e reformimit të këtij institucioni, në mënyrë që të evitohen problemet që kanë ndodhur në të kaluarën me këtë institucion.

Por, njohësit e çështjeve të sigurisë pajtohen që ligji për Klasifikimin e Informacionit dhe Verifikimin e Sigurisë duhet të ndryshohet, pasi pa ndryshimin e këtij ligji nuk mund të zhvillohen hapat tutje për zhvendosjen e këtij departamenti nga AKI në kuadër të Qeverisë së Kosovës, dhe se kërkesat e këtij ligji janë pak të ekzagjeruar.

Ndryshe, me ardhjen e tij në krye të AKI-së, Agron Selimaj pati kërkuar që ky departament të nxirret nga AKI-ja dhe të funksionojë në kuadër të qeverisë.

/Gita Lushi/ Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme