Kosova sivjet, pas dështimit para dy vjetësh, do të duhej të bënte sërish përpjekje për t’u anëtarësuar në UNESCO,
Në vitin 2015, shkaku i tri votave, Kosova nuk arriti të marrë besimin e Asamblesë së Përgjithshme për t’u bërë anëtarja e 196’të e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë e Kulturës, ndërsa kritikuan institucionet kompetente që nuk bënë sa duhet për lobimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.
Ndërsa kanë mbetur edhe afër 8 muaj kur do të mbahet mbledhja e radhës e kësaj organizate kurse ende nuk është bërë e ditur se deri në çfarë pike të lobimit ka arritur Kosova për këtë proces.
Përderisa institucionet e Kosovës nuk po bëjnë sa duhet në këtë drejtim, zyrtarë të shtetit Serb kanë filluar lobim të furishëm kundër Kosovës.
Përfaqësuesi i Serbisë në UNESCO, ambasadori Darko Tanaskoviq ka thënë se nëse Kosova për çdo rast, do të bëhej anëtare e UNESCO, pasoja do të ishin të paparashikueshme për “identitetin serb dhe për trashëgiminë kulturore në Kosovë”.
Së fundi Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq ka thënë se ka filluar veprimtarinë vendimtare diplomatike për të parandaluar njohjen e mëtejshme të pavarësisë së Kosovës.
I pari i Qeverisë serbe pas takimit me kryeministrin indian ka theksuar se kjo përkrahje është shumë e rëndësishme për Serbinë, “marrë parasysh me siguri sërish do të ketë votime për anëtarësim të Kosovës në UNESCO”.
Njohësi i çështjes së Integrimeve Evropiane Avni Mazrreku, në një intervistë për portalin Arbresh.info ka thënë se Serbia ka ndërtuar një pikëpamje diplomatike mbi të cilën Kosova nuk duhet të shkëputet nga Serbia për shumë arsye.
“Njëra nga arsyet kryesore është që në Kosovë rrezikohet qytetërimi pa prezencën e Serbisë. Të gjitha manastiret ortodokse për të cilat Serbia sillet si pronare e tyre e që në fakt nuk është pasi që ato janë pasuri trashëgimore dhe kulturore e Kosovës, janë në mbrojtjen e UNESCO-s”.
“Trashëgimia kulturore dhe historike e shqiptarëve në përgjithësi, dhe e Kosovës në veçanti në këtë rast është shumë më e vjetër se trashëgimia kulturore dhe civilizuese e Serbisë për shumë arsye”, ka thënë Mazrreku.
Sipas tij Serbia po mundohet ta avancojë pozitën e saj diplomatike duke degraduar Kosovën.
“Investimet kaq të mëdha të Serbisë nuk lidhen esencialisht me atë që e proklamon Serbia që është trashëgimia kulturore por është avancimi i pozitës së saj diplomatike në funksion të degradimit të shtetit të Kosovës, po ashtu është e vështirë të përcaktohet deri ku ka arritur Kosova me lobim”, ka theksuar ai.
Mazreku ka treguar një mënyrë se si të lobohet për Kosovën në anëtarësimin e saj në UNSCO.
“Institucionet e Kosovës duhet ta përgatisin një listë me numrin e shteteve të cilat e kanë votën e paracaktuar pozitive për Kosovën dhe që me Qeveritë e këtyre shteteve anëtare të fillojë një lobim efektiv që të sigurohet prezenca e shteteve në atë rast kur do të mbahet mbledhja e UNESCO-s ku do të votohet për pranimin e Kosovës në UNESCO”.
“Por në qoftëse Kosova nuk pranohet edhe kësaj radhe në UNESCO mendoj që është një humbje e madhe e Kosovës në atë drejtim që quhet anëtarësim e i Kosovës në organizatat ndërkombëtare”, ka deklaruar Mazrreku.
Ndërsa Analisti Imer Mushkolaj në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se Institucionet e Kosovës duhet të jenë të sigurta se vendi do të pranohet në UNESCO, në mënyrë që të kandidojnë.
“Dështimi për t’u anëtarësuar në këtë organizatë është dashur t’i shtyjë institucionet që të reflektojnë në këtë aspekt. Është thënë se lobim ka pasur. Me siguri lobimi është fokusuar te shtet problematike. Por, shumë i rëndësishëm është edhe lobimi te këto shtete nga aleatët e Kosovës. Serbia do ta bëjë punën e vet për të kundërshtuar anëtarësimin, por Kosova duhet të bëjë dy herë më shumë punë për ta mundësuar atë”, ka thënë Mushkolaj.
Arbresh.info ka kontaktuar me zyrtarë nga Ministria për Punë të jashtme për të marr një përgjigje lidhur me lobimin e këtij institucioni për kandidimin e Kosovës për antarësim në UNESCO, mirëpo kjo e fundit nuk ka kthyer përgjigje./Valdete Berisha/Arbresh.info
Parandalohet një rast i kontrabandës në Han të Elezit, vlera...
Policia e rajonit të Ferizajt heq 12 patentë shoferë për një...
KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurti...
Lajçak mesazh fundviti Kosovës dhe Serbisë: Pa normalizim ma...
Milan Radoiçiq e Zvonko Veselinoviq ia mësyjnë ndërtimit të ...
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...