Mos kalimi i Trustit, PDK: Qeveria Kurti dhe deputetët e saj sot dëshmuan që janë kundër kërkesave të qytetarëve

19:29 | 23 Qershor 2022
L G

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pas mos votimit të Projektligjit që do t’i mundësonte qytetarëve tërheqjen e deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti.

PDK thotë se qeveria Kurti dhe deputetët e saj, janë kundër kërkesave të qytetarëve, të cilët po përballen me krizën e thellë ekonomike dhe me rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale për jetesë, shkruan arbresh.info.

“Deputetët e pushtetit aktual, të udhëhequr e dirigjuar nga kryeministri Albin Kurti, sot dëshmuan që nuk janë në Kuvendin e Kosovës për t’i dëgjuar e për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen me krizën e thellë ekonomike dhe me rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale për jetesë. Në fakt, me kundërshtimin e tyre, ata e dëshmuan që nuk janë deputetë të popullit por shërbyes të kryeministrit”, thuhet në reagimin e PDK-së.

“Partia Demokratike e Kosovës, sot pas shumë pengesave e vonesave që pushteti aktual i bëri gjatë rrugës, e solli në Kuvend ligjin që e rregullonte një çështje konkrete, përkatësisht, lejimin e tërheqjes prej 10 për qind deri 30 për qind të mjeteve të kursyera nga qytetarët në TRUST-in pensional, e cila si masë, para se të jetë alternativë e PDK-së si opozitë karshi veprimeve të qeverisë, ishte domosdoshmëri, nevojë dhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës. Por, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës nuk u dëgjuan dhe nuk u mbështetën nga qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje”, thuhet tutje në reagim. /arbresh.info/

Reagimi i plotë

Qeveria Kurti dhe deputetët e saj sot dëshmuan që janë kundër kërkesave të qytetarëve, që po përballen me krizën ekonomike dhe ngritjen enorme të çmimeve

Prishtinë, 23 qershor – Deputetët e pushtetit aktual, të udhëhequr e dirigjuar nga kryeministri Albin Kurti, sot dëshmuan që nuk janë në Kuvendin e Kosovës për t’i dëgjuar e për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen me krizën e thellë ekonomike dhe me rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale për jetesë.

Në fakt, me kundërshtimin e tyre, ata e dëshmuan që nuk janë deputetë të popullit por shërbyes të kryeministrit.

Partia Demokratike e Kosovës, sot pas shumë pengesave e vonesave që pushteti aktual i bëri gjatë rrugës, e solli në Kuvend ligjin që e rregullonte një çështje konkrete, përkatësisht, lejimin e tërheqjes prej 10 për qind deri 30 për qind të mjeteve të kursyera nga qytetarët në TRUST-in pensional, e cila si masë, para se të jetë alternativë e PDK-së si opozitë karshi veprimeve të qeverisë, ishte domosdoshmëri, nevojë dhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës.

Por, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës nuk u dëgjuan dhe nuk u mbështetën nga qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në vend që të dilnin e të jepnin përgjegjësi para qytetarëve për gjendjen e rënduar që ka nxitur këtë nevojë për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga TRUST-i, sot kryeministri i vendit foli në Kuvend se si qytetarët e Kosovës nuk duhet të pyeten për vendimet që duhet të merren për jetën e tyre.

Kjo qeveri e cila çdo ditë po dëshmon se është jokompetente dhe pa vizion, vetëm po e vëzhgon rënien e lirë të ekonomisë së Kosovës dhe përkeqësimin e përditshëm të mirëqenies së familjeve kosovare.

Rritja e çmimeve që ka shkaktuar kriza, bashkë me rritjen e çmimeve që qytetarëve ua ka imponuar qeveria, siç ishte rasti me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, e kanë bërë jetën në Kosovë vështirë të përballueshme. Prandaj, shumë qytetarë të vendit që deri dje kërkonin vende pune, sot po kërkojnë viza për të ikur nga Kosova.

Partia Demokratike e Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë që ligji i diskutuar sot e i mbështetur nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës u rrëzua nga pushteti aktual, duke pamundësuar kështu sadopak lehtësimin e ballafaqimit të qytetarëve me krizën sociale dhe ekonomike.

PDK do të vazhdoj të jetë afër qytetarëve për t’i dëgjuar kërkesat dhe nevojat e tyre dhe do të vazhdoj të kërkoj nga kjo qeveri e papërgjegjshme llogari për dështimet e vazhdueshme në të gjitha fushat e qeverisjes.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme