Google ADS

Molliqajt i vjen keq për shuplakën që ia dha policit: Ishte shtyrje, jo goditje

18:40 | 30 Janar 2022
A. B.

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj është deklaruar pas protestës së djeshme ku ai goditi me shuplakë një zyrtar policor.

Molliqaj tha se ndjen keqardhje për atë që ka ndodhur dhe shtoi se i takon atij të marr përgjegjësinë për incidentin.

Tutje Molliqaj ka shpjeguar situatën në momentin kur e goditi me shuplakë zyrtarin policor.

Postimi i plotë:

Përgjegjësia mbi incidentin më takon mua

Të dashur qytetarë,

Më takon mua ta marr përgjegjësinë për incidentin teksa po përgatiteshim për të mbajtur fjalim tek qeveria. Unë duhet të isha i përmbajtur pavarësisht provokimeve. Ndjej keqardhje për çfarë ndodhi. Mbi të gjitha, kemi përgjegjësi që qëllimi i protestës të jetë parësor dhe efekti i saj maksimal.

Jo për t’i bërë bisht paragrafit me lart por një sqarim mbi rastin është i nevojshëm. Ne ishim në përpjekje e sipër që t’i lirojmë shkallët ku planifikonim t’i mbanim fjalimet. Në ato momente, dy komandantët e operacionit më kane ftuar që të diskutojmë, por në të njëjtën kohë policët tjerë më kanë shtyer, tërhequr zvarrë, sharë e ofenduar. Ajo ka qenë situata kur unë kam shtyer njërin nga policët. Pra, jo goditje, shtyerje. Lus që videot të publikohen të plota. Komandantët prezent duhet ta japin dëshminë e plotë. Edhe një herë, ky sqarim nuk dua të kuptohet si arsyetim.

Dua ta sqaroj se PSD nuk e ka dhunën mjet as qëllim. Por, futja e protestës në këtë regjistër është paralajmërim. Propaganda që po synon ta kriminalizojë një protestë paqësore ku asgjë nuk është dëmtuar dhe askush nuk është lënduar flet mjaft për tendencat e pushtetit. Trajtimi selektiv i protestuesve po ashtu. Për shkak të pamjes së protestuesve kërkonim që 2 folësit të flasin nga shkallët. Në të njëjtin vend që disa protestues tjerë e kishin bërë para 3 ditësh. Fërkimet që u krijuan në fillim ishin rezultat i kërkesës për fjalim. Pas fjalimeve, i kemi realizuar aksionet simbolike dhe kemi njoftuar që kjo s’është protesta e fundit. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme