Google ADS

Molliqaj: UÇK-ja qenka dashtë të mbrohet vetëm një herë, vetëm në një moment!

17:32 | 27 Shtator 2020
Arbresh.info

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, përmes një statusi të bërë në faqen zyrtare FB ka folur për arrestimet e fundit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, nga Gjykata Speciale.

Ai duke iu adresuar disa politikanëve ka thënë se “ju ka dalë gjumi vonë”, derisa, ka shtuar se UÇK-ja është dashur të mbrohet vetëm një herë.

Ky ëshë postimi i plotë i tij:

Ku ishe ti kur u votua Gjykata? A ju kemi thanë? Ju ka dalë gjumi vonë! Këto jane frazat më të shpeshta që po i dëgjojmë kur po flitet për arrestimet e fundit të ish pjesëtarëve të UÇK-së nga EULEX-i për Gjykatën Speciale.

Çfarë kuptimi kanë këto fraza? Funksioni kryesor i kësaj propagande është zhvendosja e debatit tek e shkuara. Gjithçka paska marrë fund, gjithçka qenka kryer. Tash krejt çfarë na ka mbetur është shpërndarja e fajeve dhe sidomos e meritave. Konkluzioni logjik: UÇK-ja qenka dashtë të mbrohet vetëm një herë, vetëm në një moment.

Për gjynah. Shumë prej tyre kurrë një pushkë nuk e kanë shkrepur; këta që për kaq shumë kohë kanë kritikuar luftëtarët për rrahagjoks, çfarë po bëjnë sot?! Po kakarisin për të djeshmen, sepse nuk janë gati të tregojnë koherencë sot. Po rrahin gjoks për një moment demek aq historik, kur bota qenka ndarë në dysh. Është ky momenti kur të paepurit i rezistuan edhe presionit bërthamor, por ama nuk e votuan Gjykatën Speciale. Në fakt, ulur në Kuvend ishin, bile s’kishte presion mbi ta sepse votat ishin siguruar. Mos harroni, të njëjtit me mosveprim pamundësuan shfuqizimin e Gjykatës Speciale në dhjetorin e vitit 2017.

Ku ishe ti kur u votua Gjykata? Heh, Unë isha në frontin e Lindjes në këtë moment apokalipsi kur botës iu parashkrua kjo histori mijëvjeçaresh. Pyeteni veten, si do të silleshin sikur të bënin më shumë sesa një refuzim për të votuar në rrethana krejt komode. Po sikur t’i kishin nga dy dëshmorë për familje e gjymtyrët të lëna nëpër beteja?!

Ku ishe ti kur u votua Gjykata?! Kjo pyetje, më shumë sesa pyetje retorike është mungesë guximi për t’u pozicionuar sot. Siç duket, ata që pyesin për fajtorët e djeshëm, e duan Gjykatën sot. A dëgjuat, sot paskan thënë se Gjykata nuk mund të ndalohet dot më. Adem Demaçi pati thënë: “kurrë nuk është vonë me u koritë”. Siç nuk është vonë as me u mbushë mend. Diskutimi është tash dhe këtu. Ku je ti sot? Çfarë mund të bëjmë sot?

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme