Mogherini, udhëtim në Ballkanin e trazuar

09:15 | 2 Mars 2017
Arbresh.info

Federica Mogherini do të udhëtojë katër ditë me radhë në vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili është trazuar rishtazi kohët e fundit. Ajo do të qëndrojë edhe në Shqipëri dhe Kosovë.

“Mali i Zi është një histori suksesi në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, sepse ky vend ka bërë më së shumti përparime në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Por kjo lëvdatë është relative. Atje ende kemi p.sh. sulme të përditshme ndaj gazetarëve. Nga 35 deri tani janë hapur 26 kapituj në negociatat e anëtarësimit në BE. Përveç kësaj, Mali i Zi duhet të pranohet këtë vit në NATO, ndonëse kushtet politike në vend ende janë në një nivel të ulët, shkruan DW.

Në tetor ky vend është tronditur nga një përpjekje për puç. Qeveria në Podgoricë i fajëson për këtë shëbimet sekrete ruse. Vëzhguesit mendojnë se Rusia në këtë mënyrë ka dashur të pengojë edhe anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Një shqetësim i veçantë paraqet zhvillimi i dobët ekonomik i këtij vendi, sepse rritja ekonomike prej 5% vitin e kaluar është “blerë” përmes futjes masive në borxhe. Brukseli kërkon kursime nga ky vend.

Dita e dytë: Bosnje-Hercegovina

Bosnja vuan edhe më tej shumë nga pasojat e luftës dhe llogaritet si një “shtet i dështuar”. Me qëllim përfaqësimin e tri grupeve më të mëdha etnike – boshnjakët, serbët dhe kroatët – në këtë vend janë krijuar struktura të veçantë qeveritare dhe administrative, të cilat duket se nuk mund të reformohen. Ky vend me 3,5 milionë banorë ka gjithsej rreth 150 ministra dhe 600 deputetë. Aparati politik e bllokon çdo lloj reforme dhe përparimi drejt BE-së. Bosnja e ka paraqitur në shkurt të vitit 2016 kërkesën për anëtarësim, por shanset janë shumë të vogla që kjo të ndodhë. Në këtë vend edhe më tej ka rrreth 600 ushtarë të EUFOR-it, për të evituar shpërthimin e dhunës.

Strukturat e komplikuara politike nuk e kanë nxitur pajtimin mes popujve. Edhe më tej mbretërojnë urrejtja dhe provokimet. “Të gjithë duhet të heqin dorë nga kjo retorikë dhe të angazhohen për përmirësimin e kushteve për të gjithë atje”, thotë komisioneri Johannes Hahn. Kjo do të ndihmonte në radhë të parë në ekonomi, sepse papunësia në Bosnje është rreth 40%, ndërsa ekonomia shumë e dobët.

Dita e dytë: Maqedonia

Edhe Maqedonia ka probleme të mëdha etnike, sepse shumë shpesh vërehen konflikte mes maqedonasve dhe shqiptarëve, të cilat i dëmtojnë edhe strukturat politike. Vëzhguesit kanë frikë se në Maqedoni mund të futet një lloj diktature. Nikola Gruevski, i cili ka qenë në pushtet me vite të tëra është nën presionin e Brukselit. Zgjedhjet e fundit nuk kanë nxjerrë ndonjë fitues të qartë dhe kriza politike po vazhdon. Presidenti i vendit e ka bllokuar deri tani krijimin e një qeverie me udhëheqjen e ndonjë politikani tjetër nga opozita. “Nuk ka kohë për të humbur”, pohon Johannes Hahn. Ndërsa Parlamenti Evropian kërkon nga Maqedonia që të bëhen reforma të vërteta në sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit. Njëkohësisht krikohen pengesat që po u bëhen reformave në drejtësi. Vendi është futur në një spirale negative dhe shanset për anëtarësim në BE vlerësohen si të dobëta.

Dita e tretë: Serbia

Serbia po negocion me BE-në prej vitit 2014 për anëtarësim. Gjendja vlerësohet nga raportuesit pjesërisht pozitive. Janë bërë përparime në hapjen e vendeve të punës dhe reforma ekonomike. Por kritikohen mangësitë në vendosjen e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Serbia është konsideruar gjatë si një nxënëse e mirë dhe kandidat serioz për anëtarësim në BE. Por kohët e fundit janë acaruar sërish raportet me Kosovën dhe kjo ka ndikuar në dobësimin e shanseve të Serbisë për anëtarësim. Në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë po ndërmjetëson Brukseli. Palët akuzojnë njëra tjetrën, ndonëse në Beograd janë shtuar edhe tonet nacionaliste. Në përgjithësi atje është shtuar influenca ruse dhe shumica e serbëve e përshëndet angazhimin rus. Në Serbi ekzsiton edhe një bllok pro perëndimor, sepse Beogradi merr në vit rreth 10 milionë dollarë ndihma nga Rusia, ndërsa nga BE rreth 190 milionë euro.

Dita e tretë: Shqipëria

Kriza politike në Shqipëri po ashpërsohet gjithnjë e me më shumë, ndërsa puna e qeverisë është paralizuar. Prej mesit të shkurtit opozita e ka bllokuar qeverinë në Tiranë dhe kërkon përmirësimin e kushteve për zgjedhje. Hahn thotë se “bashkëpunimi mes qeverisë dhe opozitës është vendimtar për afrimin e këtij vendi me BE-në.”

Komisioni ka paralajmëruar në parim fillimin e negociatave për anëtarësim në fund të këtij viti. Kusht për këtë është reforma në drejtësi dhe heqja nga postet e gjykatësve dhe prokurorëve që kanë lidhje me krimin e organizuar. Brukseli ka frikë se zgjedhjet nuk do të plotësojnë të gjitha kushtet demokratike. Të drejtat e njeriut në Shqipëri llogariten në letër si të mira. Në realitet ka kritika për gjendjen e romëve, për të drejtat e femrave dhe lirinë e mediave. Në përgjithësi, Shqipëria është në rrugën e mirë, por ende shumë larg anëtarësimit në BE.

Dita e katërt: Kosova

Vendi i dytë më i vogël në Ballkan ende nuk është kandidat për anëtarësim në BE. Para rreth një viti Kosova ka nënshkruar me BE-në Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, që është hapi i parë në afrimin me BE-në. Kërkesa më e rëndësishme e Brukselit është miratimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Si shpërblim BE-ja ka përmendur liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës. Vendi është “vetëm pak hapa larg” nga liberalizimi, thuhet në PE. Si parakusht për përparimin e vendit konsiderohen lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. BE-ja ndihmon prej vitesh Kosovën për rindërtimin e vendit dhe strukturave të drejtësisë. Mandati i Eulexit është vazhduar. Ndërkohë që në këtë vend ende janë mijëra ushtarë të KFOR-it, që garantojnë sigurinë dhe paqen.

Gjendja politike në Kosovë është e përçarë në mënyrë ekstreme. Vitin e kaluar ka pasur përplasje të dhunshme edhe në Parlament. Edhe raportet me Serbinë janë acaruar ndërkohë shumë. Prishtina akuzon Serbinë për pretendime aneksimi të pjesës veriore. Konfliktet e pazgjidhura dhe problemet me reforma e kanë vështirësuar në këtë vend gjendjen ekonomike. Kosova importon gati 90% të mallrave të domosdoshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme