Mogherini: Dera e BE-së është e hapur për Kosovën, vetëm plotësoni këto kushte

13:21 | 20 Mars 2018
Arbresh.info

Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, Federica Mogherini, ka thënë se si Bashkim Evropian kanë paraqitur të gjitha objektivat e tyre për gjashtë vendet e Ballkanit  dhe rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

Në një intervistë për televizionin publik, Mogherini ka thënë se edhe Kosova është pjesë e strategjisë së BE’së dhe se ajo që është në tryezë për të tjerët, është e mundur edhe për Kosovën.

“Strategjia e thotë qartë se të gjithë partnerët kanë perspektivë për anëtarësim në BE. Kjo është porosi e qartë. Po përcjell mesazhin sidomos për të rinjtë, se e di sa të rëndësishëm e kanë ata këtë perspektivë. Por, Kosova duhet t’i bëjë disa gjëra, përpara se ta ketë perspektivën evropiane”, tha Mogherini.

Ajo përmendi disa nga kushtet që duhet t’i plotësojë Kosova, për të ecur përpara drejt BE’së.

“Kosova duhet të vazhdojë dialogun. Shoh interesim të liderëve për këtë çështje, andaj ajo duhet të vazhdojë përpara. Duhet guxim për këtë çështje. Kosova duhet të zbatojë marrëveshjen e MSA’së dhe marrëveshjet tjera ndërkombëtare, siç është marrëveshja për Gjykatën Specialen. Reformat në Kosovë nuk po i kërkon vetëm BE’ja, por edhe qytetarët”, deklaroi Mogherini.

“Fokusi ynë duhet të jetë jeta e qytetarëve të Kosovës. kam parë dëshirën e qytetarëve që të jenë pjesë  e trenit që çon në Bruksel”, shtoi ajo.

Ajo tha se Kosova nuk është në pikën zero.

Madje sipas saj, ajo që është e mirë për Kosovën, është e mirë edhe për të tjerët në rajon.

“Lidershipi e din që disa hapa konkret duhet të ndërmerren. Dera është e hapur, ne ju duam brenda, të punojmë së bashku që ta arrijmë këtë qëllim”, deklaroi Mogherini.

“MSA duhet të implementohet. Me qenë si liderët kosovarë, isha fokusuar në implementimin e kësaj marrëveshje, dhe në marrëveshje tjera ndërkombëtare. Demarkacioni mund të çojë te liberalizimi i vizave. Në anën tjetër, Thaçi dhe Vuçiq u përkushtuan për fazën e re të dialogut. Është rast historik që ky rast të shfrytëzohet. BE dhe unë personalisht jemi të interesuar ta përkrahim Kosovën”, përfundoi ajo./RTK/

Të ngjashme