Google ADS

Mocioni për rrëzimin e Qeverisë, lojë politike në dëm të vendit

08:21 | 20 Shtator 2017
Arbresh.info

Deputeti nga radhët e NISMA-së, Zafir Berisha kishte propozuar tek partitë tjera që të bëhet mocion mosbesimi për të testuar qeverinë Haradinaj.

Partitë opozitare nuk i kishin dhënë fare përgjigje deputetit Berisha. Një propozim të tillë e kanë kundërshtuar analistët politikë, ku sipas tyre këto deklarata janë lojë politike.

Njohësi i çështjeve politike Leon Duhanaj në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se këto deklarata janë lojë fëmijësh dhe se sipas tij janë kthim prapa në bllokadë.

“Në radhë të parë, nuk është aspak etike të luhet me këto karta pa i dhënë qeverisë së sapoformuar një shans, që për një periudhë të shkurtër, t’i ofrojë sinjalet nga të cilat mund të shihet qartë kah do të shkojë qeverisja. Pikërisht për ketë fakt, në demokraci, është i njohur edhe njëqind ditëshi, si shans i çdo qeverie për ta treguar veten”, ka thënë ai.

Sipas tij deputeti Berisha, ka gjetur frymëzim nga opozita e kaluar e udhëhequr nga Vetëvendosje, ku siç tha ai që nga minuta e parë, nuk e la qeverinë të funksionojë siç duhet.

“Këso gjërash nuk do duhet trajtuar fare në një skenë të mirëfilltë politike. Por ja që ne gjendemi në një situatë të tillë pikërisht për shkak se secilit i jepet mundësia për interesa personale, ta vejë terë vendin në luhajë. Kjo është një dëshmi shtesë se Kosova përballet me probleme elementare të demokracisë. Shumë figura që sot gëzojnë dhe mbajnë pozita të larta në shtet nuk do duhet fare të ishin kandiduar e aq me pak votuar”, ka thënë ai.

Kurse analisti politik, Bajrush Morina ka thënë për arbresh.info se në këtë kohë do të ishte marrëzi kërkesa për rrëzimin e Qeverisë.

“Opozita ka qenë dashtë të mos lejojë krijimin e kësaj qeverie, por jo tash pas 2 jave rrëzimin e kësaj Qeverie. Mendoj se më keq se sa për pozitën dhe opozitën do të ishte për vendin që ne të bënim “eksperimente” të llojit “Hajdeni o burra ta rrëzojmë Qeverinë!” Opozita tash duhet ta përcjellë Qeverinë, të kërkoj përgjegjësi prej saj. Vijnë ditët kur Qeveritë bien vetë pa ndihmën e opozitës”, ka thënë ai.

Ndërsa sipas njohësit të çështjeve politike, Blerim Burjani nëse ekzistojnë numrat atëherë Qeveria mund të rrëzohet.

Thirrja e mocionit nënkupton edhe numrat për të thirrë atë. Nëse janë numrat Qeveria mund të prishet shpejt, nëse nuk janë atëherë s’ka mundësi ndryshe. Pra e gjithë kjo varet nga bërja e numrave”, ka thënë ai për portalin arbresh.info. V.Berisha /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme