MMPH përfiton projekt në vlerë rreth 4 milion dollarë nga JICA japoneze

18:35 | 1 Nëntor 2017
Arbresh.info

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, priti në takim përfaqësuesit e Agjencisë japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar (JICA), të udhëhequr nga Taizo Yamada, të cilët i falënderoi për miratimin e projektit të zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Republikën e Kosovës.

Ministrja Reshitaj falënderoi JICA për mbështetjen dhënë Kosovës në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, dhe tash së fundi edhe për miratimin e projektit të zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Kosovë, projekt ky që do të këtë impakt pozitiv në ngritjen e cilësisë së ajrit.

“Si ministri jemi duke u angazhuar në realizimin e projekteve dhe aktiviteteve konkrete që do të ndikojnë në ngritjen e cilësisë së ajrit, në bashkëpunim edhe me akterët tjerë ndërlidhës institucionalë vendorë dhe donatorët ndërkombëtarë”, tha ministrja Reshitaj.

Përfaqësuesi i Agjencisë japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar Yamada përgëzoi ministren Reshitaj për inicimin e projekteve që ndikojnë në ngritjen e cilësisë së ajrit dhe mbrojtjes së mjedisit në përgjithësi.

Ndryshe, projekti i zhvillimit të kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Kosovë ka të bëjë me rehabilitimin e stacioneve për monitorimin e cilësisë së ajrit që përfshijnë: përcjelljen e matjeve të cilësisë e ajrit, analizat laboratorike, trajnimin e stafit për mirëmbajtjen e stacioneve për monitorim të cilësisë së ajrit dhe kalibrimin e instrumenteve, matjen e emisioneve në impiantet me djegie të madhe, përpunimin e rezultateve të fituara nga matjet, vlerësimi i gjendjes së kaldajave dhe elektrofiltrave në TC Kosova A dhe TC Kosova B.

Komuna e Prishtinës do të jetë pilot-projekt, ku do të bëhet vlerësimi i ndotjes së ajrit nga burimet e veçanta, duke përfshirë transportin, amvisërinë, shërbimet publike dhe industrinë.

Po ashtu do të rishikohet rrjeti i monitorimit të cilësisë së ajrit, mundësia për pajisje edhe me ndonjë stacion tjetër të cilësisë së ajrit dhe vendosja e monitorit në kryeqytet për t’u informuar edhe qytetarët me gjendjen reale të cilësisë së ajrit në vend.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme