Shqipëria ditëve të fundit është përballur me përmbytje nga reshjet e shiut, të cilat kanë shkaktuar pasoja te mëdha tek banorët, por edhe bizneset.
Sipas zyrtarëve shtetëror edhe Kosova mund të përballet me situata të tilla, por ekspertët thonë se Kosova nuk rrezikohet nga vërshimet si pasoj e reshjeve për shkak të pozitës gjeografike.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë thënë se vërshimet po godasin çdo ditë e më shumë vende të ndryshme nëpër botë dhe sipas tyre as Kosova nuk përjashtohet nga ky rrezik.
“Çështja e përmbytjeve apo e vërshimeve sidomos atyre të shpejta është një dukuri e cila çdo ditë e më shumë është duke i goditur vendet e ndryshme të botes dhe të rajonit, prandaj as vendi ynë nuk mund të ketë përjashtim nga kjo”, thuhet në përgjigjen e MMPH.
Sipas MMPH-së, është Agjensioni i Menaxhimi të Emergjencave që merret me këto raste nëse ndodhin vërshime edhe në vendin tonë.
“Instituti bënë parashikim dhe paralajmërim të situatave të tilla, nga rrjeti i stacioneve hidrologjike, të cilat janë të vendosura në rrjedhat kryesore ujore të Kosovës. Një numër i tyre është me qasje në kohën reale, për marrje të informatave për nivelin momental të ujit në profilin e caktuar lumor në interval kohor ç’do 15 minuta. Po ashtu për lumenjtë kryesore janë përcaktuar edhe kuotat maksimale te cilat shërbejnë për informim gjatë tejkalimit të niveleve kritike”, thuhet në përgjigje.
Por, Besim Aliu nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka thënë për arbresh.info se ka pak gjasa që Kosova të përballet, pasi që sipas tij sasitë e reshjeve në Kosovë janë shumë më të ulëta krahasuar me Shqipërinë duke shtuar se pozita gjeografike dhe relievi luajnë një rol të madh.
“Sasitë e reshjeve në Kosovë janë dukshëm më të ulëta se sa në Shqipëri ose më saktë në verilindje të Shqipërisë sasitë e reshjeve arrijnë deri 2900-3100 litra për metër katrorë, derisa në Kosovë sasitë mesatare janë nga 500-600 mm juglindje deri 700-800mm (litër për metër katrorë) në perëndim dhe jugperëndim të vendit. Pozita gjeografike dhe relievi janë faktorë kryesor që ndikojnë në sasitë e reshjeve. Reshjet e mëdha në Shqipëri janë një faktor që atje të ketë edhe shumë lumenj me sasi të mëdha uji”, ka thënë Aliu.
Sipas tij, lumenjtë e Shqipërisë kanë një koeficient të lartë të rrjedhjes ku sasia më e madhe e ujërave janë autoktone nga reshjet brenda Shqipërisë, kurse pjesa tjetër vjen nga Kosova, pjesa perëndimore e Maqedonisë.
“Vërshimet e shpeshta në Shqipëri ndodhin për shkak të: sasisë së madhe të reshjeve dhe hapësirës së madhe gjeografike të ujit që hynë në Shqipëri, pjerrësia e madhe e lumenjve malor, gërryejnë shtratin në male dhe pastaj mbushin shtratin e lumit në fusha, hedhja e mbeturinave dhe materialeve inertenë lumenj, dëmtimi, prerja e pakontrolluar e maleve sidomos në 10 vjetshin e fundit, menaxhimi i dobët i liqeneve artificiale të cilat shtrihen në ultësira lumore, ndërtimi i objekteve pa kriter për rreth lumenjve, hedhje e mbeturinave dhe plastmasave të ndryshme në lumenj dhe faktorë e ndryshëm antropogjen”, ka treguar Aliu për arbresh.info.
Ai ka sqaruar se Kosova meqë ka një reliev ndryshe nga Shqipëria dhe duke i marr parasysh sasitë më të ulëta të reshjeve , nuk rrezikohet nga vërshimet sikur Shqipëria.
“Kjo nuk do të thotë se te ne nuk vjen në shprehje ky fenomen i padëshiruar natyror, por shumë më pak.”
Ai poashtu ka treguar se kush duhet të merret me këto raste në qoftëse ndodhin. Aliu ka treguar se qytetari duhet të jetë i vetëdijshëm që mos të bllokoj lumenjtë me mbeturina, mos ta degradoj shtratin e lumenjve , të mbjell sa ma shumë fidane drunore dhe t’i ruajnë pyjet.
“Masat emergjente që duhet të merren në këto raste nuk do të thotë të jenë vetëm drejtoria komunale për emergjencë, FSK-ja por edhe vetë qytetari duhet të jetë i angazhuar në këto raste.
Çështja e shirave të rrëmbyeshëm dhe e vërshimeve ka qenë aktuale javëve të fundit për shkak të prekje nga to të shtetit fqinj, Shqipërisë.
Kjo fatkeqësi natyrore ka shkaktuar një vdekje dhe dëme të mëdha materiale në shumë zona të Shqipërisë./R.Rexhepi/arbresh.info/
Driloni flet për largimin e Edit dhe miqësinë me të
Kryebashkiakja e Durrësit në pesëvjetorin e tërmetit: Rindër...
Kumbaro ndan artikullin e “El Periódico” për Shqipërinë: Jo ...
Rita Ora feston sot ditëlindjen e 34-të
Zeqiri: Një shoqëri e mire është kur të gjithë kanë qasje të...
Osmani takohet me ministrin kolumbian, theksohet rëndësia e ...