Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sportit (MKRS) ka reaguar pas raportimeve se është pezulluar ose ka pasur shkelje flagrante në procedurat e zhvillimit të master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz, duke e mohuar një gjë të tillë.
Në njoftimin për media MKRS thotë se kjo procedurë është në zhvillim e sipër sipas rrjedhës së përcaktuar me legjislacionin për prokurim publik, teksa shton se deri më tani nuk ka asnjë vendim përfundimtar rreth këtij procesi, përcjell Arbresh.info.
“Aktualisht, nga data 22.12.2023, ky proces është në fazën ankimore pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe nuk ka konsumuar afatin ligjor për shqyrtim të lëndës”, thuhet në njoftim.
Reagimi i plotë:
Në disa medie të Kosovës është raportuar për gjoja pezullim dhe shkelje flagrante në procedurën e zhvillimit të master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz.
Ju konfirmojmë që kjo procedurë është në zhvillim e sipër sipas rrjedhës së përcaktuar me legjislacionin për prokurim publik, dhe deri më tani nuk ka asnjë vendim përfundimtar rreth këtij procesi.
Aktualisht, nga data 22.12.2023, ky proces është në fazën ankimore pranë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) dhe nuk ka konsumuar afatin ligjor për shqyrtim të lëndës.
Duam të sqarojmë opinionin publik që sa herë operatorët ekonomik konkurrues parashtrojnë ankesë pranë OSHP-së, pezullohet procesi i prokurimit dhe nisë të rrjedhë afati ligjor i shqyrtimit të ankesës. Gjithashtu, përfoljet për “shkeljet flagrante” janë pretendime të operatorit ekonomik ankues që nuk është vlerësuar si fitues, dhe në çdo rast janë subjekt i vlerësimit profesional të njësive përgjegjëse institucionale.
Duam t’i sigurojmë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që në procesin e zhvillimit të master-planit të Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz të gjitha veprimet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) kanë qenë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe standardet profesionale për administrimin e një konkursi ndërkombëtar të projektimit. Operatori ekonomik që nuk është vlerësuar si fitues në këtë procedurë ka vendosur të ankohet në OSHP. Ne e respektojmë të drejtën e secilit për të përdorur mjetet ligjore të ankesës, duke siguruar proces demokratik e me integritet.
MKRS konfirmon që deri më tani nuk ka pranuar asnjë raport të ekspertizës, rekomandim apo vendim nga OSHP rreth pretendimeve të operatorit ekonomik ankues rreth këtij procesi.
Pretendimet e raportimeve mediale për shkelje dhe publikimi i vendimeve fiktive janë vetëm spekulime dhe në momentin që publikohen lehtësisht mund të lexohen edhe si presion publik ndaj zyrtarëve të OSHP-së, një institucion i pavarur. Çdo komentim publik derisa një lëndë është duke u shqyrtuar në OSHP është shkelje ligjore dhe presion publik.
MKRS ka qenë transparente nga fillimi i këtij procesi duke e mbajtur publikun të informuar për të gjitha fazat dhe veprimet në këtë proces.
Qysh në fillim, me kërkesën e Komitetit ndër-ministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, MKRS ka formuar grupin koordinues për vlerësimin e gjendjes fizike të ndërtesave në kuadër të Kompleksit në muajin korrik të vitit 2021. Ky grup koordinues ka rekomanduar hapat që duhet të ndërmerren për trajtimin e Kompleksit Memorial.
Një prej rekomandimeve ka qenë edhe vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesave kryesore të kompleksit në aspektin strukturor. Bazuar në këtë raport, MKRS ka lidhur Memorandum Bashkëpunimi me Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës.
Profesorët e UP-së e kanë dorëzuar raportin final në të cilin janë identifikuar ndërtesat me rrezikshmëri të lartë brenda Kompleksit Memorial. Nga këto ndërtesa janë identifikuar Shtëpia e Sala dhe Hamit Jasharit, pika vrojtuese – bunkeri, Shtëpia e Sadik Jasharit, muri rrethues i mbetur i shtëpisë se Smajl Jasharit, ndërsa për ndërtesat kryesore, Kullat e Jasharëve, është konstatuar nga ekspertët që nuk janë në gjendje të rrezikut imediat, por që nuk mund të presin gjatë dhe kërkohet hartimi i master-planit ku duhet të parashihet trajtimi i tyre sipas konceptit të përgjithshëm zhvillimor.
MKRS ka zhvilluar procedurat dhe ka lidhur kontratat për ndërhyrje emergjente në Shtëpinë e Sala dhe Hamit Jasharit, dhe në Shtëpinë e Sadik Jasharit, piken vrojtuese – bunkeri, dhe murin rrethues të shtëpisë së Smajl Jasharit. Të gjitha këto punime janë realizuar me sukses duke e mënjanuar rrezikun që i kanosej këtyre ndërtesave për një kohë të caktuar.
Si veprim tjetër, Komiteti Ndërministror i Kompleksit Memorial Adem Jashari në Prekaz ka emëruar Komisionin e Ekspertëve. Komisioni ka bërë hulumtimin, analizën dhe vizionimin për KMAJ dhe ka përpiluar Termet e Referencës për hartimin e Master Planit. Ky dokument i është dorëzuar Komitetit Ndërministror në janar të vitit 2023. Komiteti Ndërministror e ka aprovuar dokumentin final të Komisionit të Ekspertëve, dhe Qeveria e Republikës së Kosovë ka marrë vendim për kriteret, kushtet për shpalljen e konkursit si dhe procedurat e aplikimit për Projektin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Në përputhje me këtë vendim, MKRS e ka shpallur procedurën e hapur të prokurimit për përzgjedhjen e projektit (master-planit) për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” më 25 maj 2023.
Nga ajo kohë, kjo procedurë e konkursit të projektimit është mbyllur dhe është bërë vlerësimi nga komisioni profesional në përbërje ekspertë të institucioneve shtetërore dhe të pavarur. Pas publikimit të vlerësimit nga komisioni, një operator ekonomik që nuk është vlerësuar fitues ka ushtruar të drejtën e ankesës në shkallën e dytë, pranë OSHP-së.
MKRS duke u thirrur në rëndësinë kombëtare, por edhe qëndrueshmërinë fizike të ndërtesave brenda Kompleksit, i është drejtuar zyrtarisht OSHP-së me kërkesën për të shqyrtuar me prioritet këtë rast. Ne në asnjë mënyrë dhe asnjëherë nuk kemi pretenduar të ndërhyjmë në vendimet e OSHP-së dhe përherë ato i kemi respektuar me përpikëri, edhe kur nuk kanë qenë në favor të institucionit tonë.
Kërkesa e parashtruar nga MKRS thërret për konsideratë të shtuar në raport me këtë proces, dhe vjen pasi që çdo vonesë mund të ketë pasoja në ndërtesat e kompleksit, e rrjedhimisht në historinë e popullit tonë që lidhet me rezistencën e Jasharëve dhe Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në të njëjtën kohë, i ftojmë të gjitha palët të tregohen të matura e profesionale, duke u sjellur brenda kornizave të ligjit dhe etikës publike duke shmangur presionet e keqinformimin./Arbresh.info
Antidroga gjen drogë duke u përpunuar në një laborator, arre...
Driloni dhe Gjesti tentojnë të futen në banjo me Xhenetën – ...
Dëmtoi dorën aksidentalisht në makineri, ndërron jetë punëto...
Zelensky: Uniteti SHBA-BE, i domosdoshëm për ta ndalur Putin...
“Ti ke kontribuuar vetëm për kauçin tënd”, Laurenti dhe Lela...
Kurti e kandidatët për deputet organizojnë pritje për mërgim...