Google ADS

MKRS investon mbi 3 milionë euro për trashëgimi në Prizren

15:14 | 31 Maj 2019
Arbresh.info

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar 10 memorandume me Komunën e Prizrenit, të cilat i nënshkruan ministri Kujtim Gashi dhe kryetari Mytaher Haskuka, në vlerë totale prej 3 milion e 670 mijë euro.

Projektet në të cilat MKRS-ja do të investojë janë “Pishina Olimpike, Prizren” 1 milion e 350 mijë euro për tri vite; “Ndërtimi i Stadiumit në Zhur, Prizren” 1 milion euro për tri vite; “Stadiumi Përparim Thaqi, Prizren”  840 mijë euro; “Fusha Sportive në Lubinjë të Epërme – Prizren” 120 mijë euro; “Stadiumi i fshatit Gjonaj – Prizren” 100 mijë euro; “Poligoni Sportiv në Mushnikovë – Prizren”, 60 mijë euro; “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Novo Selo në Prizren” 50 mijë euro; “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Pauske në Prizren” 50 mijë euro; “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Skorrobisht në Prizren” 50 mijë euro; dhe “Kompleksi sportiv “11 Marsi”, Prizren” 50 mijë euro.

Ministri Gashi tha se projektet në të cilat do të investojë MKRS-ja janë mbështetje në kuadër të politikave dhe programit të ministrisë dhe se pret që pas realizimit të projekteve do të krijohen mundësi të jashtëzakonshme për qytetarët ashtu që ata ta kenë më të lehtë t’i kryejnë aktivitetet kulturore e sportive. Ministri sqaroi se një pjesë e vogël e projekteve janë vazhdimësi e viteve të kaluara ndërsa pjesa më e madhe e projekteve janë projekte të reja që MKRS-ja do të investojë në Prizren.

“Është një shumë 3.6 milionë euro, janë fokusuar te pjesa e sportit pa e llogarit pjesën tjetër 3 milionë tek trashëgimia kulturore. Pra, ministria është e fokusuar në fushën e trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit, meqenëse është qytet që ngërthen në vete një pjesë të madhe të monumenteve dhe të aseteve”, u shpreh ministri.

“E shfrytëzova këtë mundësi për të kërkuar përkushtim më të madh prej komunës tek projektet e reja. Ne kemi projekt të përbashkët me UEFA-n, kemi edhe 12 stadiumet ndihmese dhe aktualisht Prizreni nuk ka një hapësirë të cilën do të na e siguronte për fillimin e ndërtimit të këtij projekti, pra për të pasur edhe një stadium ndihmës në qytetin e Prizrenit, megjithatë jemi dakorduar që mundësia për një stadium ndihmës të jetë në Gjonaj, meqë edhe aty kemi një klub aktiv dhe kemi një hapësirë, por gjithashtu për disa ditë do kemi edhe stadiumin ndihmës në Boka, investim i MKRS-së”, sqaroi tutje ministri Gashi.

Ministri paralajmëroi se do të vizitoi edhe stadiumin e qytetit dhe pishinën olimpike ku po kryhen punimet për të inspektuar ato dhe për të biseduar me operatorët për intensifikimin e punës pasi që mjetet janë të siguruara qysh nga viti i kaluar.

“Jam i interesuar që stadiumi ‘Përparim Thaçi’ të përfundojë këtë vit që klubeve tona t’i krijohen mundësi të reja edhe për shfrytëzim dhe për zhvillimin e lojërave”, tha ministri.

“Prizreni ka vëmendjen time të shtuar për ta avancuar infrastrukturën dhe këto memorandume do të jenë mundësi e mirë dhe e re për sportdashësit dhe njerëzit e kulturës. Me këto projekte jemi shtrirë në pjesën e Hasit, Lumbardhit dhe në të gjitha pjesët e Prizrenit”, tha ministri.

Ndërsa, kryetari Haskuka shprehu falënderimin për mbështetjen nga ana e MKRS-së dhe e ministrit Gashi për projektet në fjalë. “Duhet punë më shumë lidhur me çështjen e hapësirave ku duhet me i bë këto projekte. po besoj që edhe me ligjin e ri do të kemi mbështetjen ministrit dhe  do të kaloj më shpejt në Qeveri. Biseduam edhe për projekte të reja, falënderojmë ministrin për gatishmërinë dhe mbështetjen, besojë se me këto vendime  Prizreni të bëhet qytet i kulturës dhe sportit”, tha mes tjerash Haskuka.

Deri më tani Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për këtë vit ka investuar qindra mijëra euro në projekte të trashëgimisë, me theks rehabilitimi dhe restaurimi i objekteve në rrugën “Marin Barleti” në Prizren.

“Shumë shpejt do të fillojnë edhe punimet në rrugën ‘Marin Barleti’. Është një projekt tashmë i finalizuar dhe shumë shpejtë do të fillojmë me restaurimin e të gjitha atyre shtëpive që gjinden në këtë rrugë, ku në fazën e parë të projektit janë të përfshira 14 shtëpi”, njoftoi ministri Gashi.

Ministri e ka njoftuar kryetarin Haskuka që ministria ka marrë vendim që në qytetin e Prizrenit t’i ngritët shtatorja e kongresmenit Eliot Engell.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme