Ashtu sikurse shumica e vende në botë edhe Kosova është duke luftuar me përhapjen e koronavirusit Covid-19.
Deri më tash në vendin tonë janë 94 persona të prekur me këtë virus dhe çdo ditë e më tepër situata po vjen duke u vështirësuar.
Megjithatë, menaxhimi i situatës nga institucionet shtetërore është në nivelin e duhur, derisa është rritur edhe vetëdijesimi i popullatës për t’i respektuar rekomandimet e institucioneve shëndetësore për mbrojtje nga ky virus.
Ndërkohë, tërë këtë situatë të vështirë po e lehtësojnë edhe njerëzit vullnetmirë dhe bamirës, të cilët në forma të ndryshme po ndihmojnë për tejkalimin e kësaj krize.
Një kontribut të jashtëzakonshëm e ka dhënë edhe dr. Gazmend Boshnjaku, i cili me kompaninë e tij ka vendosur të japë si donacion për QKUK-në 5 aparate që prodhojnë oksigjen dhe një aparat të osmozës për dializë, derisa 2 aparate të oksigjenit ka lënë në dispozicion RTK-së që ajo t’i ndajë për komunat më të prekura.
Një gjë të tillë dr. Boshnjaku e ka bërë të ditur në një lidhje direkte në programin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK 1, ku ka folur për situatën rreth koronavirusit.
“Kompania ime ka vendosur që të japë 5 aparate që prodhojnë oksigjen për të prekurit nga virusi Covid-19. Siç është bërë e ditur tashmë nga ky virus atakimi i parë i sistemit imunitar të organizmit bëhet te organet respiratore, respektivisht te mushkëritë. Për këtë arsye kërkesa imediate është për furnizim me oksigjen të pastër medicinal”, ka theksuar dr. Boshnjaku.
Ai ka thënë se zakonisht oksigjenin në natyrë e kemi prej 26 deri në 28 për qind vende-vende, por aparatet në fjalë e bëjnë prodhimin e oksigjenit në kushte shtëpiake apo ambulatore dhe e shndërrojnë atë prej 26-28 në 92-93 për qind.
“Ky është një oksigjen i koncentruar dhe që u ndihmon shumë pacientëve që kanë probleme me respiratorë. Kurse sa i përket aparatit për dializë u shpreh nevoja për një të tillë në Klinikën Infektive, duke pasur parasysh se personat e prekur me Covid-19 në Klinikën Infektive midis problemeve sekondare që shfaqen pas prekjes me koronavirusin përmes organeve respiratore si dëmtim koletaral pas mushkërive vjen edhe deri te problemi me veshka dhe pacientët nuk kanë mundësi të transferohen në klinikat tjera. Prandaj, kompania jonë e bëri një donacion modest me dhënien e një aparati të osmozës për dializë për me zgjidh problemin që edhe pacientët që kanë edhe probleme me veshkat të kenë një trajtim më të mirë”, ka theksuar dr. Boshnjaku.
Ai e ka vlerësuar reagimin e shpejt të institucioneve shtetërore për parandalimin e koronavirusit dhe menaxhimin shumë të mirë të situatës, teksa ka falënderuar edhe popullatën që po i respekton rekomandimet e institucioneve shëndetësore dhe vendimet e institucioneve shtetërore.
Në fund, dr. Boshnjaku ka falënderuar RTK-në për misionin e saj në informim të qytetarëve dhe për respektin e madh ndaj këtij institucioni publik ka bërë të ditur se do të ndajë edhe dy aparate për prodhimin e oksigjenit, e të cilat do t’i dhurohen atyre komunave që gazetarët e RTK-së e shohin më të nevojshme.
Haradinaj takon studentë të Universiteteve: Rinia e Kosovës ...
Lagjja Kalabria në kryeqytet mbetet pa ujë të pijshëm
Komuna e Vitisë do të ndalojë përdorimin e doracakëve “...
“Po të kishte qenë Sara më pak private”, Ledri Vula flet për...
Shqipëria vazhdon përgatitjet për sfidën e rëndësishme ndaj ...
“Rama e Beqja rritën kostot e sterilizimit”, Berisha: Mbi 1 ...