Mjeku i dënuar për marrje ryshfeti kërkon pafajësinë në Gjykatën e Apelit

16:53 | 10 Maj 2018
Arbresh.info

Lirim nga akuza apo një dënim shumë më të butë, ishin kërkesat që të enjten i ka paraqitur në Gjykatën e Apelit, mjeku Imri Vishi, i dënuar nga gjykata e shkallës së parë, për marrje ryshfeti.

Për këtë vepër si dhe për atë të armëmbajtjes pa leje, Gjykata Themelore në Ferizaj, në dhjetor të vitit të kaluar, të akuzuarin Vishi, e kishte shpallur fajtor.

Sa i përket veprës penale, armëmbajtje pa leje, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur për këtë rast, në maj të vitit të kaluar.

Për veprën penale marrje ryshfeti, Vishi ishte dënuar nga shkalla e parë, me një vit burgim, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në rast se i akuzuari nuk do të kryen vepra tjera penale brenda dy viteve pas plotfuqishmërisë së dënimit si dhe i ishte shqiptuar gjobë prej 3000 eurosh.

Kurse, për veprën e armëmbajtjes pa leje, Vishi ishte dënuar me 800 euro gjobë.

Si dënim unik, shkalla e parë i kishte shqiptuar të akuzuarit dënimin unik prej një vit burgim me kusht dhe 3800 euro gjobë.

Themelorja në Ferizaj, kishte refuzuar kërkesën e Prokurorisë që ndaj të akuzuarit Vishi të shqiptohen edhe dënimet plotësuese, ndalimi i ushtrimit të profesionit dhe konfiskimi i pasurisë.

Kundër këtij aktgjykimi të shkallës së parë, ankesë në Apel ka ushtruar Avni Ibrahimi, avokat mbrojtës i Imri Vishit si dhe prokurori i këtij rasti, Rasim Maloku.

Sipas mbrojtjes së të akuzuarit, gjykata e shkallës së parë, fare nuk kishte prezantuar fakte dhe rrethana në lidhje me veprën penale për të cilën e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Vishi.

Siç thuhet në ankesën e mbrojtësit Ibrahimi, gjendja faktike ishte vërtetuar gabimisht nga Themelorja.

“Nuk është kontestuese se i akuzuari ka marr të hollat, mirëpo, ato të holla kishin qenë dhuratë për të mbrojturin tim, e jo ryshfet. Krejt këto vërtetohen edhe nga ana CD-ve që janë shikuar gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallë të parë”, thuhet në ankesën e mbrojtësit.

Për të gjitha këto arsye, mbrojtja i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë, që të akuzuarin Vishi ta lirojë nga akuza.

Mirëpo, si mundësi të dytë, mbrojtja i ka propozuar Apelit që në rast se nuk do të merr vendim për lirimin e të akuzuarit, atëherë, ndaj të njëjtit të shqiptohet një dënim më i butë, pasi sipas mbrojtjes, të gjitha rrethanat që i referohen të akuzuarit, janë rrethana lehtësuese.

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Ferizaj, i është drejtuar Apelit me dy ankesa.

Në ankesën e parë, Prokuroria e ka atakuar vendimin e shkallës së parë, me të cilin vendim, ishte refuzuar kërkesa e Prokurorisë për konfiskimin në mënyrë të përhershme të hollave në vlerë prej 12.570 eurosh, 100 dollarëve amerikanë si dhe 100 frangave zvicerane, para këto të cilat i ishin marrë të akuzuarit.

Sipas Prokurorisë, me provat dhe faktet e prezantuara nga organi i akuzës, është vërtetuar se këto të holla që i ishin marr të akuzuarit, janë fituar me vepër penale.

“I akuzuari nuk ka prezantuar asnjë provë se si ka fituar këto para që i janë konfiskuar. Gjykata ka qenë e obliguar që të konfiskojë dobinë pasurore e cila është fituar me vepër penale”, thuhet në ankesë e Prokurorisë.

Në ankesën e saj të dytë, Prokuroria është ankuar sa i përket lartësisë së dënimit të shqiptuar nga shkalla e parë.

Sipas Prokurorisë, dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarit është shumë i butë dhe si i tillë nuk do të arrin qëllimin e dënimit.

Andaj, Prokuroria i ka propozuar Apelit që të shqipton një dënim më të lartë ndaj të akuzuarit si dhe ndaj të njëjtit, të shqipton edhe dënimin plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit të kirurgut.

Ndryshe, aktakuza e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzon tani të pandehurin Imri Vishi se në cilësi të personit zyrtar- kirurg në Repartin e Kirurgjisë, në Spitalin Rajonal të Ferizajt, në vazhdim ka pranuar dhuratë në para nga pacientët e tij.

I njëjti sipas aktit akuzues, pas kryerjes së operacioneve në repartin në fjalë, ku është i punësuar si kirurg dhe paguhet nga Ministria e Shëndetësisë, ka pranuar dhuratë 200 euro nga të dëmtuarit Minushe Mani dhe Hetem Ahmeti, 100 euro nga Muharrem Bruti dhe 50 euro nga Ajshe Hajdari. Në të njëjtin vend dhe po në të njëjtën cilësi i pandehuri kishte pranuar dhuratë 20 euro nga i dëmtuari Elez Ahmeti, për shkak të një kontrolle të rregullt pas operacionit që kishte kryer në vitin 2007.

Vishi, po ashtu akuzohet se nga data e pa vërtetuar deri më 25 mars 2017, në shtëpinë e tij në Ferizaj, ka mbajtur në posedim pa leje përkatëse dy pistoleta, me nga një karikator dhe katër fishekë të kalibrit 6.35 mm si dhe një granat dore e modelit “F1”, me çka akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”./betimiperdrejtesi.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme