Dhjetëra raste të sulmeve fizike ndaj mjekëve në vendin e tyre të punës janë raportuar gjatë vitit 2019. Rasti më i ri ishte raportuar ai i sulmit fizik ndaj një mjeku në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, derisa ai po ofronte trajtim shëndetësor.
Oda e Mjekëve të Kosovës, kishte reaguar duke shprehur shqetësim, indinjatë dhe zhgënjim me këtë rast.
Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, thotë se në bazë të hulumtimeve të bëra në gjithë Kosovën, rezulton se 78.8 për qind e mjekëve kanë deklaruar se kanë përjetuar një formë të dhunës, qoftë fizike apo verbale.
Por, ajo që mbetet shqetësuese është se në 2.7 për qind të rasteve, dhuna ka vazhduar edhe jashtë institucioneve shëndetësore.
Një tjetër rast sulmi së voni, kishte ndodhur edhe në Spitalin e Ferizajt, kur një mjek, po ashtu, ishte sulmuar derisa po kryente punën e tij.
Jeton Zeqiri, drejtor i spitalit të Ferizajt, duke folur për Radion Evropa e Lirë ka treguar se si ka ndodhur ai rast në spitalin që ai udhëheq.
”Ka qenë kujdestaria e datës 6 nëntor, në orën 12 e 40 pas mesnate, kur ka ardhur pacienti me shtypje të lartë të gjakut dhe gjakderdhje nga hunda. Mjeku kujdestar ka filluar trajtimin, fillimisht për ta ulur shtypjen e lartë të gjakut. Familjarët thonë që ta tamponojnë pacientin, derisa ky i fundit iu shpjegon se duhet të presin deri në 10 minuta derisa të stabilizohet gjendja e pacientit dhe më pas ta bëj tamponimin, sepse përndryshe ka kundër indikacione”.
”Por, pas kësaj familjarët fillojnë sulmin ndaj mjekut, pra bëhet fjalë për njërin djalë të pacientit, derisa edhe dy djemtë e tjerë që ishin duke pritur jashtë, hyjnë në sallë dhe që të tre e sulmojnë mjekun. Më pas stafi mjekësor e qetëson situatën dhe e thërret policinë”, sqaron Zeqiri.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte njoftuar se ishin ndaluar dy persona për shkak të dyshimit se të njëjtit kanë sulmuar personin zyrtar, përkatësisht mjekun S.F, në vendin e tij të punës, me ç’rast të njëjtit i kanë shkaktuar lëndime trupore.
Në anën tjetër, Oda e Mjekëve, përmes reagimit e cilëson si shqetësues faktin që institucionet përgjegjëse, sidomos ato të ndjekjes penale, me pasivitetin e tyre, siç thuhet, “janë duke i stimuluar këto sulme që tanimë janë bërë fenomen ditor”.
“Prokuroria e Shtetit dhe Gjykatat duhet të vihen në veprim, sidomos në fazën e procedurës paraprake, në mënyrë që kryesve të këtyre veprave penale t’u caktohet masa e paraburgimit, duke marrë parasysh probabilitetin që vepra e tillë mund të jetë e përsëritur ndaj mjekut, i cili i është ekspozuar veprimit të tillë kriminal”, theksohet në reagimin e Odës së Mjekëve.
Në Kosovë nuk ka ligj që i mbron mjekët nga sulmet gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
Pleurat Sejdiu thotë se Oda e Mjekëve ka nisur një iniciativë për ta bërë ligjin që mbron mjekun në vendin e punës gjatë ushtrimit të veprimtarisë, i cili aktualisht mungon.
“Gjatë këtij viti, përpos sulmeve fizike, njëri është cilësuar si tentim vrasje, pasi mjeku është sulmuar me sëpatë. Ne, si Odë e Mjekëve përpos reagimeve, ofrojmë edhe mbështetjen ligjore nga zyra jonë dhe i procedojmë në instanca më të larta rastet e sulmeve”, thotë Sejdiu.
Ai shpreson që vitin e ardhshëm do të miratohet edhe ligji adekuat, duke marrë si shembull një ligj të ngjashëm nga Kroacia, me të cilin do të përcaktohet mbrojtja ligjore e mjekëve duke i përcaktuar edhe të drejtat dhe detyrimet e tyre.
Ndërkaq, Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se një ligj i tillë është në fazën e hartimit dhe pritet të dorëzohet në Qeverinë e Kosovës (pas formimit të saj).
“Koncept-dokumenti që pritet t’i paraprijë këtij ligji është në hartim e sipër. Pasi koncept-dokumenti të miratohet në Qeverinë e Kosovës, atëherë do të nisë edhe hartimi i ligjit i bazuar në opsionin e rekomanduar me këtë koncept-dokument’’, bën të ditur Hoti.
E, mantel bardhët, për sulmet fizike ndaj tyre kanë shprehur pakënaqësinë shpeshherë edhe duke mbajtur protesta para objekteve ku punojnë./rel/
Deti Mesdhe po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e botës, si...
Trump emëron Keith Kellogg si të dërguar special për Ukrainë...
Konjufca: Shteti ynë është përplotësim i porosisë së 28 Nënt...
Ancelotti: Edhe nëse fitonim ishte e vështirë të ishim në to...
112 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë festohet në New York
Katër arsye pse disa njerëz nuk kërkojnë kurrë falje?