Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur ta vazhdojë pezullimin e Ligjit të pagave deri më 30 qershor, 2020.
Kjo nënkupton se zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat me rritje sipas Ligjit të pagave, i cili ishte miratuar gjatë vitit 2019. Në këtë kategori hyn edhe stafi shëndetësor.
Mjekët specialistë në institucione publike shëndetësore në Kosovë kanë një pagë mujore prej rreth 600 eurosh. Ndërkaq, infermierët paguhen me nga rreth 400 euro në muaj.
Mjekët specialistë e shohin si jo të drejtë pezullimin e ligjit nga Gjykata Kushtetuese.
Bergita Curri është mjeke specialiste e mjekësisë ligjore. Ajo, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, e cilëson këtë vendim si të padrejtë dhe shton se është një vendim zhgënjyes për të gjithë stafin shëndetësor.
“Mendoj që vendimi i fundit për shtyrje është shumë i padrejtë dhe i paarsyeshëm, por vetëm edhe një padrejtësi në zinxhirin e padrejtësive dhe trajtimit që u është bërë jo vetëm mjekëve, por gjithë sistemit shëndetësor me vite”, thotë Curri.
“Besoj se të gjithë mjekët e kanë merituar që për herë të parë të befasohen këndshëm me ndonjë vendim të drejtë e meritor, por përkundrazi u hodhën poshtë pa asnjë konsideratë. Kjo na zhgënjen, por nuk na thyen kurajën për të vazhduar tutje, pse jo edhe të marrim hapa tjerë pas përfundimit të pandemisë’’, thotë ajo.
Nga 300 euro për mjekët
Për shkak të ballafaqimit me pandeminë e koronavirusit, Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë nga 300 euro si ndihmë për mjekët dhe infermierët për dy muaj.
Një vendim i tillë përfshin edhe policinë, gardianët, ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe disa kategori tjera.
Infektologu Valbon Krasniqi, i cili vazhdimisht ka qenë në vijën e parë të frontit me pacientët e infektuar me COVID-19 – sëmundjen që e shkakton koronavirusi – thotë se stafi në këtë klinikë është 100 për qind i përqendruar në trajtimin e pacientëve dhe shton se mjekët nuk po kërkojnë shpërblime, por rritje pagash.
“Mjekët nuk po kërkojnë shpërblime. Ne në Klinikën Infektive në vazhdimësi kemi biseduar se si t’i menaxhojmë pacientët dhe si ta mbrojmë stafin mjekësor. Asnjëherë nuk është biseduar as në kolegjiumin e Klinikës Infektive gjatë kësaj kohe për ngritje të pagave. Këtë pjesë ia kemi lënë shtetit”, thotë Krasniqi.
“Të gjithë infektologët, 22 sa jemi në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, preokupimin më të madh e kemi se si po shkojnë pacientët me terapi. Unë mendoj se Klinika Infektive e ka barrën më të madhe gjatë kësaj pandemie”, shton ai.
Edhe Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar lidhur me vazhdimin e pezullimit të zbatimit të Ligjit për pagat në sektorin publik.
Ajo ka thënë se “gjendja e tillë është rrethanë veçanërisht rënduese për mantelbardhët, të cilët, duke qenë në vijën e parë të frontit kundër COVID-19, janë duke e rrezikuar qenien e tyre dhe familjet e tyre”.
Ligjin për paga, më 6 dhjetor të vitit 2019, në Gjykatën Kushtetuese e ka dërguar institucioni i Avokatit të Popullit për, siç thuhej, “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën.
Ligji për paga ishte miratuar në muajin shkurt të vitit 2019. Ky ligj rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë.
BBVA4 nis të shtunën, mesazhi i Sara Hoxhës: Kemi sakrifikua...
Nesër seanca e përbashkët plenare, deputetët shqiptarë dhe k...
Ledri Vula lanson këngën e re “Oj oj oj”
Osmani: E ardhmja e Kosovës në BE është e pashmangshme e për...
71 aksidente brenda 24 orëve në Kosovë
Ancelotti bëhet trajneri më i trofeshëm në histori të Real M...