Mjekë dhe infermierë në mënyrë vullnetare ndihmojnë stafin shëndetësorë në Drenas

12:07 | 18 Mars 2020
Arbresh.info

Disa mjekë dhe infermierë në mënyrë vullnetare janë duke e ndihmuar stafin shëndetësorë në Drenas.

Thirrjes së kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, për të ndihmuar personelin shëndetësorë në rast nevoje, në këtë situatë emergjente shëndetësore, vazhdojnë t’i përgjigjen shumë vullnetarë doktorë e infermierë.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e komunës, doktori i Mjekësisë së Përgjithshme, Burim Fazliu, ka shprehur gatishmërinë që vullnetarisht të ndihmoj qytetarët e komunës sonë, për të tejkaluar situatën e krijuar nga virusi COVID-19.

“Vlen të theksohet se Dr. Burim Fazliu për më shumë se 9 muaj ka punuar vullnetarisht në QKMF “Dr.Hafir Shala”, në Drenas”, thuhet në njoftim, shkruan lajmi.net.

Vullnetarisht, thirrjes së Kryetarit Lladrovci, e kanë shprehur edhe disa infermierë për të kontribuar dhe ata janë; Besian Binaku, Donjeta Shala, Gresa Fejzullahu e Valbonë Berisha.

Paraqitjen vullnetare të doktorit Fazliu dhe infermierëve të tjerë, kryetari Lladrovci e ka vlerësuar shumë dhe ka falënderuar e përgëzuar të gjithë ata që po tregojnë gatishmërinë dhe përkushtimin për të ju bashkëngjitur personelit shëndetësor në QKMF në Drenas. Vullnetarët i ka quajtur heronj dhe krenari e vendit për të menaxhuar situatën së bashku.

Numri i vullnetarëve për secilën ditë po rritet, mirëpo nevojat për tu pajisur me maska, dorëza e dezinfektues janë të mëdha për stafin shëndetësor të Drenasit.

Andaj, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë, që të furnizojnë QKMF-në në Drenas dhe QMF-në në Komoran, me pajisje të nevojshme mbrojtëse ndaj virusit COVID-19.

Deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me virus COVID-19 në Drenas dhe Shtabi Emergjent po e mbikëqyrë situatën dhe po zbaton rekomandimet e Institutit Kosovar të Shëndetësisë Publike dhe udhëzimet e dala nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme