Misteret e Gjykatës Speciale, Bekim Blakaj: Mund të ketë ende të ftuar

09:24 | 5 Nëntor 2019
M. A.

Ndonëse është duke vazhduar me thirrjet, Gjykata Speciale ende nuk i ka bërë publike personat e ftuar dhe fillimin e marrjes në pyetje, shkruan arbrsh.info.

Janë mbi 100 ftesa që jo zyrtarisht thuhet se janë dërguar nga Dhomat e Specializuara për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të cilët ende nuk dihet se në çfarë forme janë ftuar si dëshmitar apo të dyshuar.

Ndonëse jo të gjithë, por një numër nga këta do t’u ngrihen edhe aktakuza.

Drejtori ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj në një intervistë për portalin arbresh.info ka folur për Gjykatën Speciale dhe krimet gjatë luftës në Kosovë.

Blakaj ka thënë se do të ketë ende të ftuar nga Gjykata duke shtuar se një numër nga ta edhe do të akuzohen.

“Besoj që do të ketë ende ftesa. Mirëpo publiku nuk e din për krejt ftesat, mund të jenë të ftuar por nuk e kanë bërë publike ftesën. Jam i sigurt që jo të gjithë të ftuarit do tu ngrihen aktakuzat. Disa prej tyre do të jenë në cilësinë e dëshmitarit, e disa të dyshuarit”, është shprehur Blakaj.

Blakaj ka komentuar edhe mënyrën se si janë duke u ftuar personat në fjalë. Ai thotë së nuk ka një rregullore të caktuar se si duhet të ftohen, por mbetet shqetësuese.

Në këtë intervistë, Bekim Blakaj flet për numrin e civilëve shqiptarë por edhe të komuniteteve tjera që janë vrarë gjatë periudhës së luftës por edhe pas përfundimit të saj.

“Ne kemi evidentuar dhe jemi në proces të verifikimit, prej 13 mijë e 535 njerëzve që janë vra e zhduk gjatë lutës, rreth 10 mijë kanë qenë shqiptar, ku prej tyre rreth 2 mijë kanë qenë ushtarë ndërsa 8 mijë shqiptarë civil janë vrarë e zhduk në Kosovë”.

Blakaj tregon se 2 mijë e 200 persona të komunitetit serb janë vra e zhduk gjatë luftës dhe pas saj në Kosovë.

E për humbjen e mbi 13 mijë personave, janë dënuar vetëm 41 persona për krime të luftës në Kosovë.

“Shumica dërmuese e atyre që kanë bërë krime janë në liri dhe nuk kanë marrë dënimin e merituar. Deri me tani janë 41 persona të dënuar me aktgjykim të fuqishëm. Të dënuarit shumica kanë qenë shqiptarë. Në Serbi janë 16 persona të dënuar për krime të luftës në Kosovë”, ka thënë Blakaj.

Blakaj shprehet i shqetësuar edhe për zhdukjen dhe humbjen e dëshmive dhe dëshmitarëve për krime lufte pasi sipas tij dëshmitarët po vdesin e bashkë me ta edhe dëshmitë./M.Avdimetaj/arbresh.info/

Ndiqeni intervistën e plotë:

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme