Misioni i papërmbushur i Tribunalit të Hagës

12:21 | 21 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Gjykata penale ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, e njohur si Tribunali i Hagës, e themeluar 24 vjet më parë, të enjten e përfundon mandatin e saj.

Kjo gjykatë ishte themeluar në shkurt të vitit 1993, në kohën kur në dy republikat e ish-Jugosllavisë, në Kroaci dhe në Bosnjë e Hercegovinë, po zhvillohej lufta, e cila u përmbyll në vitin 1995.

Nën kompetencën e Tribunalit të Hagës ishte edhe procedimi i rasteve të krimeve të luftës në Kosovë, e cila luftë u përmbyll në qershor të vitit 1999, pas intervenimit për 78 ditë të NATO-s mbi caqet serbe.

Por, a e ka përmbushur Tribunali i Hagës misionin tij për sjelljen e drejtësisë për viktimat e luftërave në ish-Jugosllavi, veçanërisht për ato civile?
Njohësit e të drejtës ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, vlerësojnë se në këtë drejtim është pritur shumë nga Tribunali i Hagës, ndonëse sipas tyre, në një masë drejtësia është vënë në vend.

Profesori i të Drejtës Penale Ndërkombëtare, Ismet Salihu, thotë për Radion Evropa e Lirë se Tribunali i Hagës, ishte gjykata e dytë ndërkombëtare më e rëndësishme për krime të luftës që nga Lufta e Dytë Botërore.

Misioni i Tribunalit të Hagës, për gjykimin e kryerësve të krimeve më të rënda që ishin kryer në territorin e ish-Jugosllavisë, sipas tij, është përmbushur pjesërisht.

Sipas tij, ky Tribunal ka arritur që fajtorët më të mëdhenj për krime të ushtrisë jugosllave dhe të regjimit të Serbisë t’i vë para drejtësisë, por ka shfaqur mangësitë me zvarritjen e procedurave ndaj disa të akuzuarve, të cilët ishin në paraburgim.
“Kanë zgjatur procedurat nga tre vjet ose pesë vjet, që është në kundërshtim edhe me standardet, me rregullativën ndërkombëtare, por edhe me këto nacionale. Duke i shfrytëzuar këto defekte, të metat dhe zvarritjet e procedurës pranë kësaj gjykate, ish-kryetari i Serbisë, (Slobodan) Milosheviqi, arriti të mos gjykohet, të vdes në Sheveningen, në paraburgim. Kjo është një ndër të metat e kësaj gjykate. Marrë në përgjithësi ka arritur (të vë drejtësi), por, jo sa duhet, për shkak të shumë pengesave dhe duhet ta pranojmë, ka pasur edhe interferime dhe ndikime edhe politike në këtë gjykatë”, thotë Salihu.

Edhe Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare, shpreh mendimin se Tribunali i Hagës ka sjellë drejtësinë në një masë vetëm për një numër të caktuar të viktimave. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Blakaj thekson që megjithatë, Tribunali i Hagës ka treguar që mund të luftohet, siç e ka quajtur ai, kultura e mosndëshkimit, duke sjellë para drejtësisë ish-presidentë të shteteve, zyrtarë të lartë, si dhe gjeneralë dhe eprorë të lartë ushtarakë.

“Sigurisht që pritjet kanë qenë shumë më të mëdha, sidomos nga komuniteti i viktimave. Mirëpo, mendoj që një gjykatë ‘ad hock’, siç ishte Tribunali penal ndërkombëtar për ish-Jugosllavi, nuk ka mundur të bëjë më shumë në këtë aspekt. Duhet ta theksojmë edhe këtë që kjo gjykatë me aktgjykime të plotfuqishme ka dokumentuar, sidomos rastin në Srebrenicë, të cilin e ka cilësuar si gjenocid. Kjo do të mbetet tashmë në histori dhe askush nuk mundet ta mohojë. Nuk janë të gjithë të kënaqur, mirëpo, unë po tentoj ta paramendoj se si do të ishte situata në rajon, në ish-Jugosllavi, po të mos ekzistonte Tribunali i Hagës”.

Ndryshe, profesor Salihu, shpreh mendimin se edhe misioni i Tribunalit të Hagës për të ndihmuar në pajtimin e popujve, pas luftërave në ish-Jugosllavi, nuk ka arritur të përmbushej plotësisht.
“Pjesërisht edhe këtë mision e ka arritur, por jo sa duhet. Do ta arrinte sa duhet po t’i kishte nxjerrë para vetes një numër më të madh të atyre personave”, tha Salihu.

Por, Blakaj shpreh mendimin se ngarkimi i Tribunalit të Hagës me mandatin për t’i ndihmuar popujt për pajtim, ka qenë i tepërt dhe jo real. Kjo për shkakun që, sipas tij, një gjykatë e tillë, “ad hock”, nuk mund ta marrë mbi vete një proces shumë të komplikuar siç është procesi i pajtimit, i cili në mjaft raste është dëshmuar se merr dekada kohë.

“Në këtë aspekt, Tribunali i Hagës nuk ka arritur thuajse asgjë. Ndoshta në një horizont shumë më afatgjatë, mund të konsiderohet që Tribunali ka kontribuar, duke i nxjerrë disa fakte, duke krijuar arkivin e vet me dokumentacione, i cili në të ardhmen mund të shërbejë që të arrihet një ripajtim, sepse hapi i parë i pajtimit ose ripajtimit, është që palët që kanë qenë në armiqësi, t’i pranojnë faktet”.

Blakaj ka shtuar se pavarësisht që Tribunali i Hagës ka dokumentuar krime të tmerrshme të luftës në ish-Jugosllavi, ata që janë dënuar për këto krime, pasi që janë kthyer në vendet e tyre pas vuajtjes së dënimit, janë pritur si heronj nga shoqëritë relevante apo nga popujt të cilëve u përkasin ata. Madje sipas tij, në disa raste atyre u janë ofruar edhe pozita dhe funksione nderi.

Sidoqoftë, Tribunali i Hagës gjatë punës së saj për rreth dy dekada e gjysmë, ka ngritur 161 aktpadi, ka shqiptuar 90 dënime dhe 15 dhënie pafajësie./Radio Evropa e Lirë/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme