Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë paralajmëruar mundësinë që mandati i të dërguarit të veçantë të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, të ripërtërihet edhe për një vit.
Lajçak, i cili u emërua në prill të këtij viti për të udhëhequr dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka mandat njëvjeçar, i cili skadon në prill të vitit 2021. Sipas disa burimeve evropiane, të cilat deshën të mbeten anonime “është mjaft e sigurt të supozohet se atij do t’i zgjatet mandati për një vit tjetër”, natyrisht nëse merret parasysh se deri në përfundim të mandatit aktual nuk arrihet marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Lidhur me procedurat e emërimeve dhe riemërimeve të të dërguarëve të posaçëm, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka precizuar se kjo është kompetencë e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
“Mandatet e të gjithë të dërguarve të veçantë përcaktohen në parim për një vit, por ato vazhdohen apo rinovohen rregullisht për sa kohë që shtetet anëtare të BE-së pajtohen se çështjet për zgjidhjen e të cilave u krijua posti në fjalë, vazhdojnë ende dhe kërkojnë vëmendjen dhe përpjekjen e vazhdueshme të këtij personi. Pra, në rast se z. Lajçak i afrohet fundit të mandatit të tij zyrtar, kjo nuk do të thotë që dialogu ose lehtësimi i BE-së do të ndalet”, ka thënë Stano për Radion Evropa e Lirë.
Stano: Nuk po vendosim afate artificiale
Në muajin prill të këtij viti, përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kishte deklaruar për Radion Evropa e Lirë që detyra e tij është që ta përfundojë suksesshëm këtë dialog dhe të sigurojë që Kosova dhe Serbia një herë e përgjithmonë t’i zgjidhin të gjitha çështjet e pazgjidhura.
Në tetorin e këtij viti, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka theksuar që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është një proces kompleks, por ai u shpreh se arritja e një marrëveshjeje finale është çështje muajsh, e jo vitesh.
Mirëpo, që nga marrja e mandatit, në prill, Lajçak ia arriti që të ringjallë dialogun në korrik, por vetëm tri herë i ka mbledhur liderët në takim, ndonëse mëtonte që takimi në nivelin më të lartë politik të organizohej çdo tre javë.
Herën e fundit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, janë takuar më 7 shtator, kur edhe u hap tema e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Takimet në nivel të ekspertëve mbahen me qëllim që të arrihen pajtimet në lidhje me temat që i hapin liderët. Takimet e këtilla, janë mbajtur shtatë herë radhazi, duke u arritur pajtim parimor vetëm në dy tema, ato që kanë të bëjnë me të zhdukurit dhe të zhvendosurit, si dhe bashkëpunimin ekonomik.
Aktualisht, ekspertët diskutojnë për pretendimet finaciare të palëve dhe pronat, dhe deri më tani nuk ka pasur ndonjë përafrim të qëndrimeve në lidhje me çështjet që po trajtohen. Herën e fundit, të enjten , më 10 dhjetor, takimi ka përfunduar madje më herët se që ishte planifikuar. Sipas shefit të delegacionit kosvar, Skender Hyseni, ishte planifikuar që në këtë takim të diskutohet kadastri dhe pensionet, por palët as që kanë arritur që të prekin çështjen e dytë.
Me këtë ritëm, ka pak gjasë që të flitet për “çështje muajsh” kur flitet për përmbylljen e procesit, ndonëse BE-ja vazhdon të besojë se afatet janë të mundshme, nëse ekziston vullneti te palët.
“BE-ja nuk është ajo që vendos afatet kohore, sepse ato varen nga aftësia e të dy palëve për të vazhduar dhe për të gjetur konsensusin e nevojshëm. Mirëpo, ne (Borell dhe Lajçak) kemi theksuar disa herë se megjithëse nuk po vendosim afate artificiale, ne jemi duke punuar që ky proces të zgjasë me muaj e jo me vite”, deklaroi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Qeveria e Kosovës: Qëndrimet janë ende larg njëra-tjetrës
Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se nuk mund të kenë një përgjigje lidhur me atë se sa do të zgjasë procesi i dialogu me Serbinë, në Bruksel, deri në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që zgjidh kontestin ndërmjet dy vendeve, thonë zyrtarët e ekzekutivit në Kosovë.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Antigona Baxhaku, thotë për Radion Evropa e Lirë që, pavarësisht se zyrtarë të Bashkimit Evropian më herët patën deklaruar që një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë çështje muajsh dhe jo vitesh, për momentin, kjo nuk mund të paragjykohet.
“Në këtë moment, ne nuk mund të paragjykojmë ne se do të arrihet marrëveshja e paqes me Serbinë ose jo. Mbetet të shohim se si do të rrjedhë procesi. Shumëçka varet prej situatës me pandeminë COVID-19. Kryeministri Hoti ka thënë disa herë që bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po zhvillohen në Bruksel për arritjen e marrëveshjes përfundimtare me njohje reciproke dhe se nuk do të ketë marrëveshje të pjesshme. Prandaj, po e ripërsërisim edhe një herë atë që e ka thënë kryeministri, që në rast se nuk arrihet një marrëveshje e përgjithshme me njohje reciproke, procesi mund edhe të përmbyllet pa marrëveshje dhe Kosova dhe fqinji i saj verior, Serbia, mund të vazhdojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian, pa e njohur njëra-tjetrën’, thotë Baxhaku.
Duke shpjeguar dinamikën e deritashme të procesit të dialogut, Baxhaku thekson se pas 20 muajve të pezullimit të dialogut, më 16 korrik të këtij viti është mbajtur takimi i parë në Bruksel. Siç thekson ajo, në atë takim është përcaktuar se do të punohet në hartimin e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas saj, dy temat e para të përcaktuara që atëherë, janë: personat e pagjetur dhe çështjet ekonomike. Aktualisht, siç thotë Baxhaku, pala e Kosovës me palën serbe janë ende duke diskutuar për këto tema.
“Në bazë të komunikatave, të cilat i kemi shpërndarë për media dhe opinionin publik, dihet që qëndrimet janë ende larg njëra-tjetrës. Kështu që, nuk dëshiroj të paragjykoj asgjë. Procesi është në rrjedhë e sipër. Do të shohim sa do të zgjasë, kur do të përfundojë dhe a do të arrihet marrëveshja apo jo”, theksoi Baxhaku.
Janjiq: Lojëra burokratike të luftës për mandate
Njohësi i çështjeve politike nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, konsideron që dinamika aktuale e zhvillimit të dialogut Kosovës-Serbi në Bruksel, nuk jep asnjë shpresë reale për një zgjidhje të shpejtë të nyjës së marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se pavarësish deklaratave optimiste nga Brukseli, nuk ka asnjë indikacion që do të mund të përshpejtohet procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Pa një konsolidim të institucioneve të Kosovës, pra, pas zgjedhjen e presidentit dhe ridefinimin e pozicioneve brenda parlamentit, të cilat do të mundësonin një fuqizim dhe vendimmarrje të duhur, nuk shihet ndonjë përparim. Kurse në anën tjetër, pa ardhjen në presidencë të SHBA-së të Joe Biden dhe stabilizim të ekipit të tij qeverisës, nuk shoh se do të ketë ndonjë aktivitetet të shtuar të epilogut të dialogut”, theksoi Muhaxhiri.
“Në anën tjetër, fuqia politike e z. Lajçak nuk është e madhe, ndonëse ai është dëshmuar si një ndërmjetësues korrekt. Por, nuk ka pasur ndonjë zhvillim të madh që do ta sfidonte substancialisht mënyrën e ndërmjetësimit të tij. Kështu që është e pritshme që BE-ja t’ia besojë edhe një mandat të ri Lajçakut , që ai të jetë edhe më tutje ndërmjetësues në dialog”, shton Muhaxhiri.
Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin që arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të ndodhë brenda pak muajsh.
“Deklarata e parë e Lajçakut ka qenë se kjo do të ndodhë gjatë mandatit të tij. Pastaj, i zgjerojnë afatet. Këto janë lojëra burokratike të luftës për mandate. Realiteti është i tillë që me parimet (për dialogun), deri më sot, jo që nuk ka bërë, por e ka vështirësuar situatën. Me miratimin e parimeve (nuk vlen asnjë marrëveshje pa një marrëveshje për të gjitha) dhe derisa të zgjasin ato, nuk ka asnjë gjasë që të bëhet diçka. Duhet të ndryshohet parimi i negociatave, duhet të ndryshohet formati dhe vetë pastaj të mendojmë që për një vjet apo një vjet e gjysmë të arrihet deri te marrëveshja”, thekson Janjiq.
Ai shpreh mendimin që Komisioni Evropian, do të duhej që urgjentisht të shqyrtojë punën e Borellit dhe Lajçakut. Për këtë të fundit, Janjiq thekson që i ka mjaftuar një mandat që të tregojë se çfarë mund të bëjë në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, e në të cilin “nuk ka bërë shumë”.
Ai shton se Bashkimi Evropian duhet të sqarojë situatën dhe të tregojë se a dëshiron që ta ruajë këtë format të dialogut si të pandryshuar, apo duan formatin që e kanë paralajmëruar që nga viti 2016, që të ketë dialog politik për çështje politike dhe që zbatimi të kontrollohet përmes mekanizmave të qeverive dhe përparimit në procesin e integrimeve evropiane.
“Në këtë mënyrë edhe Lajçak ta ketë hartën e vet të rrugës, si dhe Komisioni Evropian -kushdo qoftë aty, Lajçak apo dikush tjetër – që edhe Beogradi dhe Prishtina të kenë hartë të qartë të rrugës në bisedime dhe të shihet se sa do të zgjasë kjo. Në përgjithësi, tash për tash nuk ka asnjë arsye për kurrfarë vlerësimi pozitiv, sepse nuk ka argumente”, thekson Janjiq.
Në marsin e vitit të ardhshëm, bëhen 10 vjet që kur ka nisur dialogu në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog fillimisht nisi për çështje teknike, për të evoluar më pas në dialog të nivelit të lartë politik.
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...