Miratohet projektligji për programin e energjisë solare

13:20 | 31 Janar 2024
E.K

Komisioni Parlamentar për Buxhet ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së financimit në mes të Republikës së Kosovës, i përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transferove, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), dhe KFW, Frankfurt Am Main, për Programin e energjisë Solare i Fotovoltaik.

Projektligjin nuk e mbështeti deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani.

“Të gjithë jemi të vetëdijshëm për nevojën e shtimit të kapaciteteve të energjisë. Jemi të obliguar të shohim edhe shëndetin por edhe koston e asaj se çfarë duam të arrijmë. Fokusimi në rritjen e kapaciteteve duke pasur resurset çfare i kemi, te energjia e ripërtërishme është shumëfish më e madhe se termocentralet. Sado që të kemi investime të tilla, çdo herë kemi me pasë edhe ngritje të çmimeve të energjisë për qytetarët. Që nga paslufta nuk është bërë asgjë në rritjen e kapaciteteve prodhuese, andaj në vazhdimësi do të ballafaqohemi me ngritje të çmimit të energjisë”, shtoi ai.

Ndërkaq, ministri i Financave, Hekuran Murati tregoi se cilat janë përparësitë e këtij projekti.

“Përparësia e projekteve të tilla është se janë modulare. Tabelat e paneleve solare janë më të vogla dhe ka një dinamikë më të shpejtë se projektet tjera. Nëse puna shkon mirë mendoj se do të duhej që brenda dy viteve ta kemi të insaltuar atë. Një përparësi është se duke qenë afër KEK-ut, nuk ka nevojë për kabllo apo nënstacione të reja, pasi infrastruktura është e instaluar”, shtoi ai./rtk

Të ngjashme