Miratohet Programi Kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së Stabilizim – Asociimit

12:06 | 25 Shkurt 2022
S D

Në mbledhjen e katërt me radhë të Këshillit Ministror për Integrim Evropian (KMIE), u diskutua dhe miratua në parim Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2022-2026.

kryeministri Kurti në fjalimin e tij në hapje të takimit, tha se zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit është proces shtetëror, dhe kërkon angazhim të të gjitha institucioneve, qoftë ministrive, Kuvendit apo edhe institucioneve të pavarura.

Ai theksoi se gatishmëria politike dhe performanca e kënaqshme në zbatimin e reformave janë të domosdoshme për fazën e ardhshme të integrimit në Bashkimin Evropian.

Kjo pasi që në mbledhjen më të fundit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, të mbajtur më 7 dhjetor 2021, Kosova ka marrë përsipër zotimin politik që gjatë këtij viti të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kjo pritet të hapë udhë që Kosova të bëhet shtet kandidat për anëtarësim.

Zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, prezantoi para të pranishmëve draftin final të Programit, me fokus në reformat kyçe në kuadër të tre blloqeve të këtij dokumenti: kritereve politike, kritereve ekonomike dhe standardeve evropiane – kapitujve të negociatave për anëtarësim. Lidhur me këtë ai nënvizoi tre aspekte kyçe. Së pari, zbatimi i reformave për integrim në BE është parakusht për të kaluar në fazën tjetër të aderimit në BE. Së dyti, zbatimi i këtyre reformave duhet të jetë në përputhje me prioritetet politike dhe gjetjet e Raportit më të fundit vjetor të KE-së për Kosovën, dhe institucionet zbatuese duhet të fokusojnë punën e tyre në zbatimin e këtyre prioriteteve. Së treti, Kosova duhet të tregojë progres në zbatimin e këtyre reformave, në veçanti në pjesën e parë të vitit. Zëvendëskryeministri Bislimi, theksoi se pjesa e dytë e vitit do të fokusohet në rrafshin diplomatik dhe përgatitjen e vendimmarrjes politike lidhur me aplikimin për anëtarësim me qëllim të arritjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim.

Në pjesën e dytë të mbledhjes, ministrat dhe udhëheqësit e institucioneve të tjera diskutuan specifikisht për reformat nën përgjegjësinë e institucioneve të tyre të parapara në draftin përfundimtar të Programit të MSA-së. Të gjithë bartësit e masave u zotuan se do të zbatojnë këto reforma në mënyrë të duhur dhe brenda afateve kohore, në bashkëpunim dhe koordinim me Zëvendëskryeministrin përgjegjës për integrim evropian dhe me Zyrën e Kryeministrit si institucion koordinues në këtë proces.

Drafti përfundimtar i Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së u miratua në parim nga KMIE. Ky program do të përcjellët për miratim në Qeveri dhe pastaj do t’i dorëzohet Kuvendit për miratim përfundimtar. Programi Kombëtar për Zbatimin e MSA-së është kornizë gjithëpërfshirëse për përmbushjen e obligimeve të MSA-së dhe reformave të tjera për integrim në BE. Pas miratimit në Qeveri PKZMSA 2022-26 do të publikohet për vëmendjen e të gjitha palëve të interesuara.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në mbledhjen e IV të Këshillit Ministror për Integrim Evropian:

I nderuar Zëvendëskryeministër i Parë, z. Besnik Bislimi,

Të nderuara Zëvendëskryeministre, znj.Donika Gërvalla Schwarz dhe znj.Emilija Rexhepi,

Të nderuar Ministra,

Të nderuar zëvendësministra,

Pjesëmarrës të tjerë,

Të nderuar përfaqësues të medieve,

Kam kënaqësinë të hap mbledhjen e katërt të Këshillit Ministror për Integrim Evropian. Dhe ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj dhe punën që keni bërë në përgatitjen e Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2022-2026. Me qëllim të zbatimit të kësaj marrëveshje, Qeveria e Republikës së Kosovës, në koordinim me institucionet e pavarura, e ka hartuar këtë program që parasheh reforma konkrete në të gjitha fushat e kritereve të Kopenhagës. Aty parashihen kriteret politike, si dhe ato ekonomike, por edhe standardet evropiane, ose kapitujt e negociatave të anëtarësimit në BE.

Ky program është dokumenti kryesor kombëtar për zbatimin e MSA-së dhe reformave të ndërlidhura për integrim në Bashkimin Evropian. Një kornizë gjithëpërfshirëse afatmesme e reformave të nevojshme që dalin nga MSA dhe nga mekanizma të tjerë të këtij procesi. Si i tillë, programi parasheh masa ose aktivitete afatshkurtra të reformave dhe objektiva prioritare afatmesme për përafrimin e legjislacionit vendor me atë të BE-së dhe për zbatimin e të njëjtit.

Sot jemi mbledhur që të diskutojmë draftin përfundimtar të këtij dokumenti dhe ta miratojmë atë në parim. Marrë parasysh rëndësinë e reformave për integrim në BE në këtë fazë, gati gjashtë vjet pas hyrjes në fuqi të MSA-së, obligimet që kemi marrë përsipër në këtë program duhet të trajtohen me prioritet të lartë gjatë këtij viti.

Zbatimi i MSA-së është proces shtetëror. Kërkon angazhim të të gjitha institucioneve, qoftë ministrive, Kuvendit apo edhe institucioneve të pavarura. Andaj, prioritizimi dhe zbatimi i masave të MSA-së brenda afateve kohore që keni paraparë është obligim që rrjedhë nga procesi i integrimit evropian. Qeveria është e gatshme të ju mbështes në vendimmarrje politike e në forma të tjera afatgjata për të siguruar zbatimin e tyre. Edhe Zëvendëskryeministri Bislimi dhe ekipi i tij do të jenë në dispozicionin tuaj, për të siguruar zbatimin e duhur të këtij programi.

Rëndësia programit, si dhe e prioriteteve politike në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA II) sivjet është më e madhe për shkak të zotimit politik që kemi marrë si Kosovë që sivjet të aplikojmë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këtë zotim e kemi marrë përsipër në mbledhjen e katërt të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, të mbajtur më 7 dhjetor 2021, në Bruksel, të cilën e kam bashkë-kryesuar me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, z.Joseph Borrell.

Ky zotim i Republikës sonë për ta bërë hapin e ardhshëm drejt anëtarësimit në BE është i domosdoshëm dhe në kohën e duhur, pasi që jemi duke e zbatuar MSA-në tani e gjashtë vjet dhe me dinamikë të shtuar sidomos së fundmi. Kosova është vend potencial kandidat dhe i është premtuar perspektiva e anëtarësimit në BE. Prandaj ne jemi të përkushtuar të zbatojmë pjesën tonë të detyrimeve dhe të intensifikojmë bashkëpunimin me shtetet anëtare dhe institucionet e BE-së, për të avancuar në fazën tjetër të anëtarësimit.

Këtij momenti të rëndësishëm të aplikimit për anëtarësim, duhet t’i prijë një dinamikë e shtuar e angazhimit dhe një zbatim shumë më i mirë se deri tani i reformave të parapara, në veçanti në pjesën e parë të këtij viti. Gjithashtu duhet të trajtohen me prioritet sfidat kyçe që ka identifikuar BE-ja në Raportin vjetor për Kosovën, si dhe konkluzionet e përbashkëta me BE-në të Këshillit të katërt të Stabilizim-Asociimit. Pjesa e parë e vitit është kritike, pasi që mesi i qershorit është afati i fundit për të dorëzuar në BE kontributin tonë për Raportin e ardhshëm vjetor të BE-së për Kosovën, i cili pritet të publikohet në tetor.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në fund më lejoni që të ju rikujtoj se zbatimi i MSA-së ka rëndësi të veçantë, pasi që të gjithë ne si institucione duhet të kemi pronësi në të gjitha aspektet e këtyre reformave. Zbatimi i masave drejtpërdrejt ndikon në përmirësimin e mirëqenies dhe në jetën e qytetarëve. Obligimet janë të qarta në të gjitha fushat, andaj kërkoj nga ju përkushtim dhe përgjegjësi maksimale përgjatë këtij viti.

Për diskutim më të hollësishëm, tani ftoj Zëvendëskryeministrin Bislimi të marrë fjalën dhe më pas ju ftoj në diskutim aktiv për pjesën e obligimeve tuaja si institucione zbatuese.

Ju faleminderit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme