Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka miratuar pjesërisht kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për mosnxjerrjen e disa dokumenteve që përmbajnë informacione konfidenciale.
Këtë e bëri të ditur Michael Doyle, zëdhënës i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, përmes platformës online “Zoom”, të enjten, duke thënë se vendimi është marrë më 2 shkurt, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Trupi gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e Prokurorisë për të mos nxjerrë disa dokumente, sepse përmbajnë informacione konfidenciale dhe të ndjeshme që duhet të mbrohen në bazë të nenit 58 të Ligjit të DHSK-së dhe rregullës 107 (1), e që lidhen me shtetet e treta apo institucionet ndërkombëtare. Rregulla parasheh se në qoftë se Prokurori i Specializuar ka nën ruajtje ose kontroll informacion që i është dhënë në mënyrë konfidenciale dhe vetëm për mbledhjen e provave të reja, një informacion i tillë dhe burimi përkatës mbrohen. Materiali ose informacioni fillestar nuk nxirren pa pëlqimin e dhënësit dhe në asnjë rast nuk paraqitet si provë materiale pa iu bërë i ditur paraprakisht të akuzuarit”, tha Doyle.
Në po të njëjtën çështje gjyqësore, Doyle tha se të enjten e kaluar ka filluar dëshminë dëshmitari i 45-të i ZPS-së, Hajrush Kurtaj, i cili do ta vazhdojë dëshminë më 20 shkurt.
“Dëshmitari, ish-anëtar i UÇK-së, Hajrush Kurtaj, po dëshmon pa masa mbrojtëse. Seanca vijuese e planifikuar për këtë çështje gjyqësore do të mbahet më 20 shkurt, në orën 09:00”, tha Doyle.
Po ashtu, në këtë rast, Doyle tha se më 7 shkurt trupi gjykues ka vendosur që disa pjesë të transkriptave të seancave që janë mbajtur në sesion privat gjatë nëntorit 2023 dhe janarit 2023, mund të bëhen publike.
“…Kjo bazohet në një urdhër të mëparshëm të gjykatësve për Prokurorinë, mbrojtjen dhe mbrojtësin e viktimave, që të kryejnë rregullisht rishikim të transkripteve për të parë nëse mund të hiqen redaktimet ekzistuese dhe transkriptet të riklasifikohen si publike, me qëllim respektimin e parimit të publicitetit , duke respektuar njëherazi masat mbrojtëse për dëshmitarët dhe viktimat”, tha zëdhënësi i DhSK-së.
Kurse, tek çështja gjyqësore ndaj Sabit Januzit dhe Ismet Bahtjarit, Doyle tha se ZPS-ja dorëzoi dosjen paraprake më 2 shkurt.
“Në çështjen gjyqësore Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, Zyra e Prokurorit të Specializuar dorëzoi dosjen paraprake më 2 shkurt, siç ishte urdhëruar prej gjykatësit të procedurës paraprake. Dosja u dorëzua si konfidenciale për të garantuar masat mbrojtëse të autorizuara më parë dhe Prokuroria tha se do të dorëzojë versionin e redaktuar publik në kohën e duhur. Dorëzimi i dosjes paraprake është hap i rëndësishëm në një proces gjyqësor pasi mundëson fillimin e gjykimit.”, tha Doyle.
Ai shtoi se dosja përmban për secilën akuzë, një përmbledhje të provave që prokurori i specializuar synon t’i paraqesë lidhur me kryerjen e krimeve dhe përgjegjësisë penale të pretenduar të të akuzuarve.
Megjithatë, Doyle theksoi se Apeli i Gjykatës Speciale ka hedhur poshtë apelimin e Januzitt kundër vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake që rrëzonte kërkesën e tij për lirim të përkohshëm.
“Gjykatësit konstatuan se gjykatësi i procedurës paraprake nuk gaboi kur doli me përfundimin se bazuar në informacionin para tij, asnjë masë shtesë që mund të merret parasysh në mënyrë të arsyeshme, nuk mund të zvogëlojë mjaftueshëm rreziqet e identifikuara të pengimit të procesit dhe kryerjes së krimeve të tjera”, tha Doyle.
Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.
“Çift në tentativë”, banorët flasin për Sarën dhe Drilonin
Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj
Trupat e Koresë së Veriut marrin goditje të rëndë në përball...
Avioni i “Japan Airlines” pëson sulm kibernetik, paralajmëro...
LDK-ja mban sot konferencë për shtyp
Shpenzimet e shqiptarëve për lodrat e fëmijëve, importohet 1...