Pas miratimit të Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë nga ana e qeverisë, ekspertët thonë se është në kundërshtim me parimet moderne të Administratës Publike dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa, ka pasur reagime edhe nga partitë opozitare, duke paralajmëruar se do ta dërgojnë përsëri në Kushtetuese. Por nga Ministria e Punëve të Brendshme, thonë se janë ndjekur praktikat më të mira evropiane për sa i përket këtij projektligji.
Në fillim të muajit mars, qeveria miratoi Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë. Por, për këtë ka pasur reagime të shumta si nga shoqëria civile e po ashtu edhe nga partitë opozitare.
Ema Pula, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë për Radio Kosovën se e gjithë procedura e miratimit të këtij projektligji ka qenë jo transparente. Ajo theksoi se një proces i tillë është realizuar në heshtje të plotë duke mos u përfshirë akterët dhe në kundërshtim me rregullat dhe parimet për konsultime publike, pasi i njëjti nuk është publikuar në platformën për konsultime publike.
“Rrjedhimisht palët e treta nuk kanë pasur fare informacion mbi ndryshimet dhe plotësimet e propozuara nga ana e Qeverisë. E për sa i përket përmbajtjes, projektligji jo vetëm që nuk ka ndjekur aktgjykimin apo urdhrin e përcaktuar nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i njëjti po ashtu bie ndesh me parimet moderne të administratës publike. Kjo duke filluar me faktin që ky projektligj përjashton nga fusha e veprimit disa institucione tipike, e që është në kundërshtim me parimet e SIGMA/OECD”, ka thënë ai.
Sipas Pulës, shqetësuese mbetet edhe fenomeni i ushtruesve të detyrës.
“Zgjatja e afatit deri në dy vjet për ushtruesit e detyrës, është tendencë e qartë për ligjësimin e këtij fenomeni të rrezikshëm. Madje i njëjti ka parashikuar mekanizmin që brenda vetëm një muaji të përshtaten vendimet për ud-të aktualë, në mënyrë që të vazhdohet kjo praktikë. Shqetësuese mbetet edhe heqja e pragut minimal që së paku dy kandidatë duhet t`i plotësojnë kushtet për nivelin e lartë drejtues, gjë që rezulton me cenim të konkurrencës, si shtylla kryesore e meritokracisë”, ka thënë ai.
Pula, paraqiti edhe disa shqetësime të tjera, derisa i bëri thirrje qeverisë dhe Kuvendit që të fillojnë një proces të ri të hartimit të politikave të shërbimit publik në përputhje me parimet moderne për administratë publike. Ndërkohë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra, ka thënë për Radio Kosovën se kanë ndjekur praktikat më të mira evropiane për sa i përket këtij projektligji, derisa komentoi edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Fatkeqësisht, Gjykata Kushtetuese pikën esenciale të cilën e ka rrëzuar në aktgjykimin e 12 shtatorit, thotë që me hyrjen në fuqi të Ligjit për Zyrtarë Publikë, ata që rekrutohen tash e tutje, rekrutohen me mandat të caktuar, por ata që janë tashmë në ato pozita ju betonohet edhe më tutje ai privilegj, që është qartazi padrejtësi ndaj të tjerëve dhe mbesin të tillë. Më futjen e mandateve të gjithë e kanë një mundësi që të ngritën në karrierë. Me ligjin e ri, atë të vitit 2022, pozitat që tani shpallen janë me mandat, pra, është një mundësi për kandidatët e rinj që të promovohen në karrierë dhe janë me mandate”, ka thënë Dobra.
Por, i shqetësuar është shprehur Ali Sefaj, përfaqësues i Sindikatës së Shërbyesve Civilë. Ai ka thënë për Radio Kosovën se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore, me qëllim të ruajtjes dhe avancimit të administratës.
“Kjo bie ndesh me atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese e veçmas krijon pasiguri juridike dhe krijon mundësi arbitrariteti, duke pretenduar ta kapin administratën dhe të rrënojnë atë që është arritur në administratën shtetërore tash e njëzet vjet. Ne do të bëjmë përpjekje që edhe nëpërmjet deputetëve ta dërgojmë kërkesën në komisionin përkatës parlamentar. E në rast se nuk do të ketë përfillje, kërkesën do ta dërgojmë tek Avokati i Popullit që e njëjta të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi janë paraparë që të ndryshohen disa nene e që fatkeqësisht krijohet mundësia e arbitraritetit”, ka thënë Sefaj.
E ndërkohë kanë reaguar edhe partitë opozitare. Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ditë më parë ka deklaruar se ky ligj është i rrezikshëm për demokracinë dhe sulm mbi administratën shtetërore, derisa tha se nëse ky projektligj miratohet në këtë mënyrë në Kuvend, opozita do të detyrohet prapë të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim. Edhe koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Përparim Gruda, ka thënë se qeveria e ka miratuar këtë projektligj në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në gusht të vitit 2023, Gjykata Kushtetuese i kishte shpallur kundërkushtetuese disa nene të këtij ligji. Kushtetuesja i kishte hapur rrugë dekretimit të këtij ligji, pa dispozitat e konstatuara në kundërshtim me Kushtetutën. Po ashtu, sipas këtij vendimi, Gjykata Kushtetuese e kishte obliguar Kuvendin që në afatin prej 6 muajsh nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit në raport me nenet e shfuqizuara nga kjo gjykatë.
Ndërkohë, në dhjetor të vitit 2022, LDK dhe PDK e patën dërguar në Gjykatën Kushtetuese, Ligjin për Zyrtarët Publikë. Këto parti vlerësuan se Ligji kishte një varg shkeljesh kushtetuese dhe se synim kishte nënshtrimin e administratës publike ndaj pushtetit.
Pas kundërshtimeve të partive opozitare në vitin 2022, pati reaguar edhe Bashkimi Evropian, derisa pat theksuar se Kuvendi i Kosovës nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e tyre. Nga BE-ja kanë thënë se do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet që ndikojnë në reformën e administratës publike e po ashtu do të mund të rivlerësojnë ndihmën e tyre në këtë fushë. “BE-ja shpreh keqardhje që Kuvendi i Kosovës ka miratuar këtë ligj pa marrë parasysh komentet e BE-së dhe OECD/SIGMA, përkundër angazhimeve të MSA-së në këtë fushë. Ligji i ri për zyrtarët publikë është problematik në lidhje me sigurimin e një shërbimi civil të bazuar në merita që mund të menaxhojë efektivisht burimet njerëzore, pasi shton lirinë e tepruar në procedurat e rekrutimit, transferimit dhe disiplinës së nëpunësve civilë, duke e bërë shërbimin civil potencialisht të pambrojtur ndaj politizimit”, është thënë në reagimin e BE-së.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...