Google ADS

Miratimi i Ligjit për KPM-në, Kusari: Ditë e errët për lirinë e shprehjes dhe medias në Kosovë

15:06 | 11 Korrik 2024
K.B

Juristja e së drejtës së medias, Flutura Kusari, ka reaguar pas miratimit të Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Kusari ka thënë se sot është ditë e errët për demokracinë, lirinë e shprehjes dhe të medias në Kosovë.

“VV-ja e aprovoi me 61 vota projektligjin anti-europian për Komisionin e Pavarur për Media. Sot është ditë erret për demokracinë dhe lirinë e shprehjes dhe të medias në Kosovë”, shkroi ajo në Facebook, shkruan Arbresh.info

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka pranuar me shqetësim miratimin në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave.

Sipas AGK-së, votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës.

Ndërsa ka bërë thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit.

LEXO EDHE:

AGK: Miratimi i Ligjit për KPM-në, goditje ndaj lirisë së medies dhe tentim për disiplinim e kontroll të tyre

Deputetë e Kuvendit të Kosovës në seancën e 11 korrikut e kanë miratuar Projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili mes tjerash parasheh licencimin e mediave online, monitorimin e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro.

Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë prezantimit të këtij projektligji tha se Komisioni parlamentar për integrim, ka deklaruar se amendamentet e projektligjit janë pjesërisht në pajtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

“Nuk paskam parë ndonjëherë kësi konstatimi që janë pjesërisht. Ka çështje të cilat në mënyrë universiale nuk trajtohen nga legjislacioni i BE-së, prandaj shtete i rregullojnë sipas mënyrave të veçanta të tyre”, tha Konjufca.

Sipas tij, nuk duhet votuar diçka që është në kundërshtim me legjislacionin e BE-së.

Në votim nuk morën pjesë deputetët e partive opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të cilët u larguan nga seanca pasi që kërkesa e tyre për largimin e këtij projektligji nga rendi i ditës nuk u përkrah nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme