Google ADS

Minxhozi: Në takimin mes Kurtit dhe Ramës nuk u bisedua për “Ballkanin e Hapur”

08:58 | 29 Shtator 2021
Përparim Bublaku

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, ka thënë se në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe atij të Shqipërisë, Edi Ramës që u zhvillua të hënën nuk u bisedua për “Ballkanin e Hapur”.

Ai në Sytë Shtatë të Klan Kosovës ka thënë se në atë takim dy orësh u bisedua për zhvillimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

“Vizita e delegacionit të Qeverisë së Shqipërisë është shumë e shpejtë. Kjo është vizita e parë që është bërë në një shtet nga Rama prej momentit kur e ka marrë mandatin e tij. Kjo tregonte se dëshira e Tiranës për t’u takuar ishte një realitet i domosdoshëm, kjo ishte një vizitë e dakorduar që u bë menjëherë pas urimit dhe ftesës së Kurtit për Ramën i cili u përgjigj menjëherë.

“Kjo është një vizitë e cila i përmbush të gjitha parametrat për njerëzit e Kosovës dhe Shqipërisë që dëshironin një etapë të re të bashkëpunimit, pavarësisht një luhatje momentale. Në takimin e Prishtinës mes Ramës dhe Kurtit nuk është cekur fare tema e “Open Ballkans”, flas për takimin e parë që zgjati rreth dy orë në kryeministri”.

“Aty u diskutuar si të rrisim tempin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë ku fushat që çalojmë dhe çfarë duhet të bëjmë më tepër. Ka qenë një bisedë gjithëpërfshirëse, rol të rëndësishëm kanë luajtur raportimet e ministrave respektiv. Është shumë e rëndësishme që marrëdhëniet midis nesh të zhvillohen ne thelb, pavarësisht që mund të ketë ndonjë problem periferik që nuk biem dakord, por çështjet e tjera nuk na pengojnë që të zhvillojmë marrëdhënie intensive dhe vëllazërore”,ka thënë Minxhoni, njofton Klankosova.tv.

Ai ndër tjera ka thënë se një takim i ardhshëm mes delegacioneve të dy shteteve do të mbahet në nëntor në javën kur është përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme