Google ADS

Ministrja Tahiri priti delegacionin e diplomatëve të rinj nga Suedia

17:12 | 30 Mars 2017
M. A.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka pritur dje në një takim një grup diplomatësh të rinj nga Suedia, pjesëmarrës në programin e trajnimit diplomatik të Ministrisë së Jashtme Suedeze, të cilët janë për vizitë në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri. Delegacioni i diplomatëve shoqërohej nga ambasadori i Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Kosovës, Henrik Nilsson.

Ministrja Tahiri ka folur për zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe procesin historik të formimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës, duke thënë se jemi duke ndërtuar një shtet euroatlantik duke përmbushur vizionin tonë dhe vlerat e përbashkëta me bashkësinë euroatlantike. Para të pranishmëve ajo foli për prioritetet Qeverisë së Kosovës, që janë rritja ekonomike, krijimi i vendeve të punës, rendi dhe ligji, mirëqenia sociale, por edhe për proceset rajonale dhe euroatlantike.

Poashtu, gjatë këtij takimi është folur edhe për bashkëpunimin e mëtejmë ndërmjet Kosovës dhe Suedisë. Ministrja Tahiri vlerësoi lartë përkrahjen e çmueshme që po vazhdon nga ana e Qeverisë së Suedisë për Kosovën, duke shprehur përkushtimin e dyanshëm për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit edhe në të ardhmen.

Sa i përket integrimit evropian, ministrja Tahiri theksoi se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e nënshkruar ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës është marrëveshje historike pasi ka fut Kosovën në rrugën zyrtare të integrimit në Bashkimin Evropian. “Vizioni ynë është integrimi i plotë i Kosovës në Bashkimin Evropian, NATO, OKB, si prioritete kryesore strategjike të politikës sonë të jashtme”, tha mes tjerash znj. Tahiri.

Ajo foli edhe për angazhimet e Kosovës në fuqizimin e bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore në Ballkanin perëndimor. “Kosova është e angazhuar për paqe dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet në rajon dhe ne vlerësojmë se paqja dhe stabiliteti në rajon duhet të forcohet më tej me një angazhim më të madhe të partnerëve euroatlantik, sidomos në këtë periudhë të sfidave të reja të sigurisë që vijnë nga rikthimi i tendencave gjeopolitike të atyre vendeve që humbën ndikimin në rajonin tonë. Kosova dhe rajoni u përcaktuan qartë për aleancën me perëndimin dhe do ta mbrojmë fuqishëm përcaktimin tonë”, theksoi ministrja Tahiri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme