Google ADS

Ministrja serbe e drejtësisë i kundërpërgjigjet kryeprokurorit Aleksandër Lumezi

15:44 | 2 Shkurt 2018
L G

Ministrja e Drejtësisë së Serbisë, Nela Kuburoviq i është përgjigjur deklaratave të kryeprokurorit të Kosovës të dhënë në një intervistë ekskluzive për “Arbresh.info” Aleksandër Lumezi lidhur me mos bashkëpunimin e autoriteteve serbe me drejtësinë kosovare për zbardhjen e identitetit të vrasësit të Oliver Ivanoviqit.

Ministrja serbe, ka thënë se sapo t’i mbledhin informacionet do t’ia dorëzojnë autoriteteve kosovare.

“Në kohën kur Zyra e Prokurorisë për Krimin e Organizuar t`i mbledh informacionet e kërkuara, Ministria e Drejtësisë e Serbisë do t’i kalojë ato përmes bashkëpunimit ligjor tek autoritetet kompetente në Kosovë” ,ka thënë Kuburoviq.

Ajo ka shtuar se kërkesat e autoriteteve të Kosovës për sigurimin e disa informacioneve lidhur me vrasjen e Ivanoviqit u përcollën nga Ministria e Drejtësisë në Prokurorinë e Krimit të Organizuar për veprime të mëtejshme.

Lumezi në një intervistë për “Arbresh.info” ka thënë se shteti i Serbisë pavarësisht kërkesave nuk po bashkëpunon me organet e drejtësisë kosovare për zbardhjen e identitetit të vrasësit.

“Ka pasur kërkesa edhe nga autoritetet e Serbisë që të bashkëpunojmë në këtë drejtim, mirëpo ne u kemi thënë se ne jemi të gatshëm të t’i marrim të gjitha informacionet të cilat ata eventualisht i posedojnë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, siç është e paraparë edhe me ligjin për Bashkëpunim Ndërkombëtar. Nuk na kanë dhënë ende informacione, jemi duke pritur”, është shprehur Kryeprokurori Lumezi.

Oliver Ivanoviq është vrarë me armë zjarri mëngjesin e 16 janarit, deri sa po shkonte në zyrën e tij./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme