Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci të enjten ka mbajtur konferencën e fundit për këtë vit.
Nagavci tha se po punojnë që të realizojnë një nga një premtimet e Qeverisë. Mësimi dual, që ajo e përmendi në fillim të fjalimit, tha se është një prej premtimeve të realizuara më të rëndësishme, sepse kontribuon në lidhjen e njohurive të nxënësve me tregun e punës.
Nagavci ka sqaruar se në tre muajt e ardhshëm, Kosova do ta ketë një plan të detajuar për punën dhe veprimet për përmirësimin e rezultateve në testin PISA.
“Siç e dini, në fillim të këtij muaji u publikuan rezultatet për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve (PISA) 2022. Në Vlerësimin PISA 2022 u vlerësuan 6027 nxënës nga 229 shkolla; Si Ministri kemi punuar në Pakon Ligjore për ngritjen e cilësisë në shkolla; Kemi miratuar Udhëzimet administrative që e rregullojnë procesin e licensimit dhe avancimit në karrierë të mësimdhënësve, vlerësimin e performancës së mësimdhënësve dhe zhvillimin profesional të mësimdhënësve; -Prej qershorit të vitit të ardhshëm synojmë të nisim me provimin për licencë të avancuar për mësimdhënës, sipas kritereve të përcaktuara; Në tre muajt e ardhshëm do ta kemi një plan të detajuar për punën dhe veprimet për përmirësimin e rezultateve të fëmijëve tanë në testimin e radhës”.
“Disa veprime veçse i kemi ndërmarrë siç janë: Fillimi i rishikimit të teksteve shkollore, -Miratimi i ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, Hartimi i Kurrikulës së re për Edukimin në fëmijërinë e hershme dhe pilotimi i saj ka nisur javë më parë; Zhvillimi në karrierë i mësimdhënësve; Udhëzimet administrative që kanë të bëjnë me licensimin dhe avancimin në karrierë të mësimdhënësve; Siç edhe e kemi thënë, si Ministri, jemi fokusuar tek përmirësimi i politikave dhe angazhimi për përmirësim të cilësisë, rezultatet e të cilave nuk mund të shihen menjëherë. Ndikimi i këtyre politikave dhe intervenimeve në sistem të arsimit mund të vërehet në ciklin tjetër të PISA”.
Nagavci shtoi se prej qershorit të vitit të ardhshëm synojnë që të nisin me provimin për licencë të avancuar për mësimdhënës, sipas kritereve të përcaktuara.
“Jemi në proces të udhëzuesit që do të bëjë realizimin dhe jemi në bashkëpunim me Shqipërinë, synimi është që nga qershori ta fillojmë testimin e mësimdhënësve për licencë të avancuar”.
Ajo ka folur edhe rreth rritjes së buxhetit për vitin 2024. Nagavci tha se nga viti i ardhshëm shkollimi parafillor do të jetë i obligueshëm për çdo nxënës. Më tutje ajo ka përmendur se është hera e parë që Kosova ka një kolegj publik, ai i IBCM.
“Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi buxhetin për vitin e ardhshëm ku për fushën e arsimit gjatë vitit 2024 janë planifikuar 408,988,408 euro. Rritja e buxhetit për arsimin tregon përkushtimin e Qeverisë për prioritizim të arsimit, rritje të cilësisë në arsimin universitar dhe parauniversitar si dhe përmirësim të infrastrukturës në arsim. Projektet, investimet dhe shpenzimet e planifikuara për 2024 nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit do të mund të realizohen në tërësi me 100,120,951 euro nga të cilat 43,012,054 euro janë investime kapitale dhe 8,770,360€ subvencione dhe transfere. Buxheti për arsimin në komuna është rritur në 277,157,385 euro dhe buxheti për Universitetin e Prishtinës është 31,710,072 euro. Mbesim të përkushtuar që me këtë buxhet të realizohen kushte më të mira dhe rritje e cilësisë në arsim”.
Ndërkohë ajo ka përmendur edhe ndërtimin e çerdheve dhe objekteve shkollore gjatë udhëheqjes së tyre në arsim.
“Gjatë vitit 2023 ka përfunduar ndërtimi i çerdhes në Suharekë dhe në Prizren. Po vazhdon ndërtimi i 12 çerdheve të reja të kontraktuara me investime nga MAShTI dhe gjashtë tjera me investime nga BE me projektin IPA 2016. Po këtë vit janë kontraktuar për ndërtim edhe gjashtë çerdheve të reja. Ka përfunduar adaptimi i tre shkollave në çerdhe dhe ka vazhduar adaptimi i katër shkollave tjera në kopshte për fëmijë, ndërkaq që është kontraktuar adaptimi edhe i pesë shkollave dhe objekteve tjera po ashtu në kopshte për fëmijë”.
Nagavci ka përmendur edhe ndarjen e shtesave nga Ministria për nevojat e materialeve shkollore, nga 80 euro për nxënësit e klasave të para deri në të gjashtën, dhe nga 30 euro për nxënësit e klasës së gjashtë deri në klasën e nëntë.
“Projektligji për tekste shkollore i finalizuar në fund të vitit të kaluar dhe i votuar në Qeveri është në trajtim në Kuvend duke hapur rrugën për infrastrurën e nevojshme ligjore për adresimin e sfidave të deritanishme rreth hartimit dhe pajisjes me tekste cilësore. Ky Projektligj është një hap shumë i rëndësishëm drejt një arsimi më cilësor dhe përmirësimit të rezultateve! Projektligji mundëson reformë për të siguruar tekste cilësore për nxënësit tanë, transparencë, llogaridhënie dhe konkurrencë të lirë. Këtë vit shkollor për herë të parë kemi subvencionuar blerjen e teksteve shkollore ku pas aplikimit në E-Kosova pagesat janë bërë në llogari të prindërve ose kujdestarëve të fëmijëve. Për nxënësit nga klasa 1 deri në 5 kemi ndarë 80 euro për blerjen e teksteve shkollore ndërsa për nxënësit nga klasa 6 deri në klasën e 9 të cilët veçse i kanë pasur tekstet nga vitet e kaluara kemi ndarë nga 30 euro si mbështetje për materiale të tjera shkollore”.
Biden fal dënimet me vdekje
Prokuroria në Gjakovë ngrit aktakuzë ndaj të pandehurit që v...
Ilir Avdyli largohet nga Llapi
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë për të hyrë në Kosov...
Panik në Portin e Durrësit, përplasen rëndë dy tragete
Dënohet me burg ish-kryetari i Bashkisë së Lezhës, Fran Frro...