Ministrja Nagavci: Libri mbetet një nga mundësitë më të mira për zhvillim arsimor e kulturor

18:44 | 23 Prill 2022
Fjolla Bajraktari

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Librit.

Nagavci përmes një postimi në Facebook, tha se kjo ditë rikthen kujtimet për periudhat e vështira, atëherë kur nuk kishte libra, numër të vogël të përkthimeve e libra të ndaluar.

“Dita Botërore e Librit rikthen kujtimet tona në periudha të vështira, kur kishim mungesë të librave, numër të vogël të librave të përkthyer, por edhe libra të ndaluar. Kjo është historia e dhimbshme e shqiptarëve në raport me librin”, ka shkruar Nagavci.

Ajo tha se kjo ditë po ashtu sjell në mend shkrimtarë të mëdhenj të kohërave që i dhanë ngjyra jetës dhe kurajo botës përmes letërsisë për të luftuar të keqen, duke nxitur edhe zhvillimin e njerëzimit dhe përpjekjet për një botë më të mirë.

“Mësimdhënësit, bashkë me prindërit dhe gjithë komunitetin, duhet të shtojnë përpjekjet që të nxisin gjeneratat e reja për lexim, jo vetëm të librave shkollor. Libri, si një nga mjetet më të vjetra të komunikimit, mbetet një nga mundësitë më të mira për zhvillim arsimor e kulturor, por edhe për kënaqësi shpirtërore”, shtoi ajo./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme