Google ADS

Ministrja Hoxha tregon se kur kosovarët do të udhëtojnë pa viza

20:34 | 1 Gusht 2018
Arbresh.info

Republika e Kosovës është në fazën e fundit të procesit për liberalizimin e vizave. Ministrja për Integrime Evropiane, Dhurat Hoxha, ka thënë se institucionet e vendit i kanë kryer të gjitha obligimet që i janë dhënë nga Bashkimi Evropian. Ajo ka treguar edhe kohën se kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Evropë.
“Në aspektin procedural, Kosova tashmë ka kryer të gjitha obligimet që ka pasur karshi procesit të liberalizimit të vizave duke përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara. Tashmë, i mbetet Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Ministrave të BE-së që proceduralisht të ecin përpara. E tëra çfarë qarkullon brenda strukturës institucionale të BE-së është Rregullorja e BE-së Nr. 539/2001. Propozim amendamentin e kësaj rregulloreje e ka bërë Komisioni Evropian dhe të njëjtën ia ka dërguar Këshillit të Ministrave, e ky i fundit e ka përcjellë atë në Sekretariatin e Përgjithshëm të Parlamentit Evropian. Sekretariati i Parlamentit Evropian e përcjellë në Komisionin për Liritë Civile, Çështje të Drejtësisë dhe Punë të Brendshme (angl. LIBE). Raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën e përcjellë propozimin në LIBE dhe nëse është e nevojshme edhe në Komisione tjera Parlamentare dhe e përgatit terrenin për seancë plenare ku kërkohet shumica e thjeshtë parlamentare.

“Pas votimit pro liberalizimit në Parlamentin Evropian, atëherë çështja shkon te Këshilli për Çështje të Drejtësisë dhe të Brendshme (origjinal: Justice and Home Affairs Council -JHA-), në të cilin ulen Ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së. Tradicionalisht, Këshilli për Çështje të Drejtësisë dhe të Brendshme takohet 6 herë në vit dhe zakonisht takimet mbahen në tetor dhe në fund të nëntorit ose fillim të dhjetorit. Këshilli për Çështje të Drejtësisë dhe të Brendshme voton me shumicë të kualifikuar. Pra, duhet pasur parasysh që publikimi i raportit pozitiv nga Komisioni Evropian është motori që vë në lëvizje si Parlamentin Evropian ashtu edhe Këshillin”, ka thënë Hoxha në një interviste dhënë për Agjencinë e Lajmeve “FaktePlus”.

Ajo ka folur për kohën se kur qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në Evropë. Sipas Hoxhës brenda këtij viti duhet të kryhen të gjitha procedurat.

“Nëse bazohemi në vendet e rajonit, atëherë që nga dhënia e rekomandimit pozitiv e deri te lëvizja e lirë janë dashur më pak se 6 muaj dhe duke besuar në këtë proces ne besojmë që qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin të lirë në fund të këtij viti. Pra, siç e thashë më lartë, proceduralisht tashmë varet tërësisht se sa shpejtë do të ecën BE në këtë drejtim, ne si Qeveri e Kosovës kemi kryer obligimet tona, për çfarë edhe jemi vlerësuar qartë dhe pozitivisht nga Komisioni Evropian.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme