Google ADS

Ministrja Hoxha pret vlerësim pozitiv për vizat nga delegacioni vlerësues i BE-së

12:45 | 27 Prill 2018
V. S.

Institucionet e Kosovës presin vlerësim pozitiv nga delegacioni vlerësues i BE-së, për liberalizimin e vizave i cili në Kosovë do të jetë në fillim të muajit maj.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha ka thënë se kanë bërë të gjitha përgatitjet për prezantimin e punës të bëra viteve të fundit.

Ajo ka thënë për lajmi.net, se për çështjen e liberalizimit të vizave, Kosova ka bërë progres, dhe në këtë aspekt presin vlerësim pozitiv.

“Konsideroj se kemi progres në këtë drejtim dhe institucionet ligjzbatuese çdo ditë e më shumë po dëshmojnë pavarësinë e tyre. Unë besoj se ne meritojmë vlerësim pozitiv për përpjekjet tona sa i përket kriterit për liberalizimin e vizave, por lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave”, ka thënë Hoxha për lajmi.net.

Ndryshe javë më parë Komisioni Evropian ka publikuar raportin për shtetin, i cili më parë është quajtur Raporti i Progresit.

Sa i përket luftimin të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kusht tjetër për liberalizim të vizave pas ratifikimit të demarkacionit, raporti vlerëson se Kosova është ende në fazën e ‘luftimit të hershëm’.

Prokuroria e Kosovës, javët e kaluara ka ngritur disa aktakuza, në të cilat përfshihen edhe ministra, ish-ministra, e deputetë.

E pyetur nëse ngritja e këtyre aktakuzave do të vlerësohet nga zyrtarët e BE-së si progres në luftën kundër korrupsionit, Hoxha ka thënë se ç’do përpjekje në luftë kundër krimit dhe korrupsionit duhet vlerësuar.

Ajo është shprehur se tolerance zero ndaj korrupsionit është rruga e vetme drejt integrimit.

“Çdo përpjekje për të goditur krimin e organizuar dhe korrupsionin duhet vlerësuar. E kam thënë edhe më herët se rruga jonë e vetme drejt integrimit është zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit në të gjitha nivelet. Besojmë se puna dhe progresi i institucioneve do të vlerësohet pozitivisht”, është shprehur Hoxha për lajmi.net.

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës, besojnë që kosovarët do të mund të lëvizin të lirë në zonën schengen në fund të këtij viti.

Ndërsa, në BE nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur Kosova do ta fitojë liberalizimin e vizave. Ata vetëm kanë vlerësuar ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa që kanë bërë thirrje që Kosova ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin./Lajmi.net/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme