Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka marrë pjesë në Konferencën ndërkombëtare për Ditën Botërore të Shëndetit Mendor, qëllimi i të cilës ishte që të rrisë ndërgjegjësimin e publikut mbi standardet evropiane në fushën e vendosjes së pavullnetshme të personave me çrregullime mendore të privuar nga liria, të vendosur në institucione të mbyllura psikiatrike.
Organizimin e kësaj konference, ministrja Haxhiu e ka parë si shumë të rëndësishme për trajtimin e problemeve dhe ofrimin e alternativave për tejkalimin dhe zgjidhjen e tyre me një angazhim të shtuar, veçanërisht në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim.
Ministrja Haxhiu derisa ka folur për personat e dyshuar në ndalim, ka thënë se tek kjo kategori mundësitë e shkeljes së të drejtave të tyre janë shumë më të mëdha se cilindo vend tjetër. Për këtë arsye, tha Haxhiu, vendosja e tyre në kushte të duhura dhe ngritja e kompetencës së autoriteteve të zbatimit të ligjit është e domosdoshme për të respektuar të drejtat e njeriut në këto vende.
Sa i përket legjislacionit në fuqi, i cili është në harmoni me instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Ministrja Haxhiu ka vënë theksin tek Kodi i Penal dhe Kodi i Procedurës Penale që parashohin dispozita të veçanta për trajtimin e kryerësve të veprave penale me çrregullime mendore.
Ministrja Haxhiu ka bërë të ditur se në institucionet korrektuese ka një numër të konsiderueshëm të të dënuarve me çrregullime mendore dhe sipas saj, kjo paraqet sfidë të madhe për menaxhimin e tyre, cenim të sigurisë e deri tek pasojat me humbje jete të të dënuarve.
Për ministren Haxhiu, shqetësues mbetet fakti që institucionet korrektuese ballafaqohen me mungesë të hapësirave adekuate dhe mungesë të një stafi të trajnuar dhe profesionalisht kompetent në trajtimin e këtyre rasteve tejet të ndjeshme, për çka Ministria e Drejtësisë, tha ajo, mbetet e përkushtuar në trajtimin e kësaj situate me prioritet.
Përveç legjislacionit përkatës, ministrja Haxhiu tha se, Ministria e Drejtësisë në kuadër të reformave në drejtësi penale që ndërlidhen me trajtimin më të mirë të personave të privuar nga liria, ka paraparë që të dënuar me probleme të shëndetit mendor sikurse edhe kategori të tjera të ndjeshme të të dënuarve, ti vendos në hapësira të veçanta në Qendrën Korrektuese në Dubravë, gjë për të cilën janë bërë përgatitjet e nevojshme dhe së shpejti do të vendosen rreth 80 të dënuarve në këto hapësira.
Haxhiu po ashtu ka bërë të ditur se në kuadër të programit i cili do të jetë adekuat për këtë kategori, do të ketë kryesisht personel mjekësor si psikiatër, mjek të përgjithshëm dhe infermierë në një numër të konsiderueshëm. Haxhiu tha se, pas mbështetjes të cilën e kanë marrë , do të fillojnë trajnimet e para për stafin korrektues që do të angazhohet në këtë njësi, ndërkohë që kanë filluar vlerësimin e gjendjes teknike dhe mundësisë së adaptimit të objektit të Institutit të Psikiatrisë Forenzike për të rritur kapacitetet e saj me rreth 50 vende.
Ministrja Haxhiu e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin me institucionet përkatëse dhe njëherit ka kërkuar nga akterët përgjegjës që të mos heqin dorë nga garantimi maksimal i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, veçanërisht trajtimin me kujdes dhe profesionalizëm të rasteve me çrregullime mendore.
Kjo konferencë u organizua nga mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës i Avokatit të Popullit dhe projekti i Këshillit të Evropës “Forcimi i institucioneve në luftën kundër torturës, keqtrajtimit dhe trajtimit tjetër poshtërues”./arbresh.info/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...