Google ADS

Ministrja Hajdari: Përkrahja e ndërmarrësisë faktor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit

10:56 | 18 Nëntor 2022
K.B

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka organizuar një bashkëbisedim me ndërmarrësit vendorë dhe palët e tjera të interesit, me temën: “Ndërmarrësia dhe Rritja e Qëndrueshme Ekonomike”.

Në shënjim të Javës Globale të Ndërmarrësisë, MINT ka organizuar këtë ngjarje me qëllim të diskutimit me ndërmarrësit vendorë, shoqatat industriale dhe akademinë, për politikat dhe instrumentet përkrahëse qeveritare për ndërmarrjet fillestare, të vogla dhe të mesme, gjersa sektori privat është kontribuues kryesor për rritjen e qëndrueshme ekonomike.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila që prej marrjes së mandatit, ka punuar vazhdimisht për zhvillimin e hovshëm të ndërmarrësisë në Republikën e Kosovës, ka thënë se fusha e ndërmarrësisë ka rëndësi të madhe dhe vendimtare për rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit.

‘Unë personalisht besoj në ju ndërmarrësit tanë, sepse ju jeni ata që mund të ndryshoni mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Me sukseset dhe revolucionet e juaja, ju përveçse krijoni pasuri nga ndërmarrësia, ju krijoni edhe vende pune dhe kushte për një shoqëri të lulëzuar dhe ekonomi të qëndrueshme në Republikën tonë. Për më shumë, ju jeni liderët e inovacionit teknologjik, që sjellin në treg produkte apo shërbime inovative dhe teknologji të re, që kontribuojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së juaj në treg dhe arritjen e synimit tonë për transformim të industrisë vendore, në një industri më të integruar globalisht’ theksoi Ministrja.

Gjersa zhvillimi i ndërmarrësisë nxit inovacionin, krijon vende pune dhe kontributet e ndërmarrësve mbrojnë sistemin social, ministrja Hajdari theksoi se zhvillimi i ndërmarrësisë është në fokus të Programit të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Duke i njoftuar të pranishmit për proceset e hartimit të politikës kombëtare për zhvillim industrial, inovacion dhe ndërmarrësi nën udhëheqjen e MINT, ajo sjelli në vëmendje se shkëmbimi i ngushtë dhe i vazhdueshëm midis politikës dhe biznesit është thelbësor, veçanërisht tani në këto kohë sfiduese, pasi kostot socio-ekonomike po bëhen gjithnjë e më të dukshme, si shkak i rritjes së çmimeve të energjisë, zinxhirët e ndërprerë të furnizimit, varësitë e dhimbshme për lëndët e para, të cilat ndërmarrjet tona po i përjetojnë drejtpërdrejt.

Në këtë ngjarje, të pranishmit u njoftuan me gjerësisht për sektorët kryesorë industrialë të analizuar nga perspektiva e zingjirit të vlerës, nga drejtoresha e Departamentit të Industrisë, Valbona Dushi dhe për hartimin e ligjit për inovacion dhe ndërmarrësi, nga drejtoresha e Departamentit të Inovacionit Laura Zherka, si dhe për instrumentet përkrahëse për ndërmarrjet fillestare, të vogla dhe të mesme nga u.d kryeshefit të Agjencisë KIESA, Zef Dedaj.

Në diskutim e sipër me ndërmarrësit, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka shtjelluar rëndësinë e konceptit të ekosistemit si dhe efektin e madh që mund të krijojë ky ekosistem në shoqëri.

Bashkëbisedimet me ndërmarrësit, nga ministrja Hajdari me kolegë dhe të ftuarit në panel nga akademia, sektori privat dhe expertizës për inovacion dhe ndërmarrësi nga GIZ, vazhduan me reflektime të sinqerta në çështjet e ngritura lidhur me barrierat administrative për të bërit biznes dhe përparësitë për krijimin e bashkëpunimeve të strukturuara dhe të vazhdueshme në mes sektorit publik dhe privat, me qëllim të rritjes së konkurrueshmërisë se ndërmarrjeve vendore dhe zhvillimit te qëndrueshëm socio ekonomik, thuhet në komunikatë. /arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme