Ministrja e Jashtme: Vota e sotme konfirmim që Kosova i plotëson kushtet për KiE

23:39 | 27 Mars 2024
E.G

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e ka vlerësuar hap shumë të rëndësishëm miratimin e raportit të raportueses Dora Bakoyannis në Komitetin Politik të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

“Ky hap i sotëm ishte i rëndësishëm sepse është një konfirmim që Kosova është e përgatitur dhe i plotëson të gjitha kushtet për t’u anëtarësuar në KiE. Por, ende s’kemi arritur në fund të rrugës, sepse është shumë e rëndësishme që deri në maj të vazhdojmë punën e lobimin, jo vetëm në Asamblenë Parlamentare por edhe në Këshillin Ministror, me qëllim që në maj të kurorëzohemi me anëtarësimin e plotë në KiE”, ka theksuar Gërvalla në një intervistë në RTK.

Ajo tutje ka theksuar se nëse në të ardhmen do të lindin kushte të reja, atëherë ato do të jenë të padrejta. “…sepse nuk janë paraparë aspak as në raportin e juristëve eminentë e as të raportuesve tjerë. Ne konsiderojmë se nuk ka shtet që nga anëtarësimet e viteve të 90-të të ketë qenë më i gatshëm dhe të ketë përqafuar më shumë vlera e parime demokratike se sa Republika e Kosovës”, ka shtuar Gërvalla.

Sa i përket katër votave kundër, ndër të cilat njëra ishte e Malit të Zi, ministrja ka pranuar se është votë që habit, por ajo tha se atë e sheh si votë individuale të deputetes dhe se pret që kur vjen në pyetje vota e Malit të Zi si shtet, ajo do të jetë në favor të Kosovës.

“Proporcioni i votave 31 për, 4 kundër dhe 1 abstenim është një votë shumë e qartë pro anëtarësimit tonë dhe të njëjtën proporcion e presim edhe në prill kur të vihet në votim në Asamblenë Parlamentare çështja e opinionit për anëtarësim në KiE. Sa i përket Malit të Zi, shpresoj që ajo është një votë individuale e deputetes, ndërsa vota e Malit të Zi si shtet mbetet në përkrahje të Republikës së Kosovës, ashtu siç ka qenë në të kaluarën”, ka theksuar Gërvalla, transmeton RTKlive.

Në pyetjen nëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë kusht për anëtarësim, ministrja ka thënë se asnjë lloj i asociacionit nuk është parakusht për anëtarësim në KiE. “Kjo është gjuha e qartë që e flet raporti i raportueses Dora Bakoyannis dhe është ajo për të cilën ka votuar sot Komiteti Politikë i KiE-së. Do të shohim zhvillimet në prill dhe pastaj kur ta kemi votën në Asamblenë Parlamentare do të kemi nevojë edhe për një valë të re bisedash intensive, në mënyrë që në maj të bëhemi anëtar të KiE-së”, ka nënvizuar Gërvalla.

Të ngjashme