23:01 | 1 Shkurt 2024
E.G
Mbështetja e Gjermanisë dhe bashkërendimi i veprimeve në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ishin temat në fokus të takimit që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla pati me kryetarin e grupit të deputetëve gjermanë në Këshillin e Evropës, Frank Schwabe.
Gërvalla takoi edhe dy deputetë të Partisë Liberale Gjermane (FDP) në Bundestagun gjerman, Ulrich Lechte dhe Thomas Hacker, me të cilët u diskutuan proceset politike dhe siguria në Kosovë dhe rajon, bashkërendimi dhe mbështetja e Kosovës në rrugën e anëtarësimit të saj në BE, NATO dhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, përcjall Arbresh.info.
Gjatë këtyre takime të ndara, ministrja i njoftoi deputetët e Bundestagut me të arriturat mbresëlënëse të Kosovës në ekonomi, demokraci, sundim të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe shtrirjen e sovranitetit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës./Arbresh.info/