Ministrja Dumoshi: Prizreni, qytet ndër më të pasurit, në trashëgimi kulturore

16:50 | 14 Tetor 2020
Arditë Shkodra

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, sot ka vizituar qytetin e Prizrenit, pasi që ka përfunduar restaurimi i disa shtëpive të vjetra të familjeve Doda, Dukagjini e Skenderi, në kuadër të fushës së trashëgimisë kulturore dhe ministrja ka përuruar shtëpitë e restauruara.

Gjithashtu, ministrja ka vizituar edhe Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore, në Prizren, ku është pritur nga drejtori i kësaj qendre, Samir Hoxha, si dhe Kalanë e Prizrenit, për të parë për së afërmi punimet që janë realizuar në këtë objekt të rëndësishëm të trashëgimisë.

Në qëndrimin në QRTK-Prizren, ministrja, është takuar me stafin e qendrës dhe ka biseduar për planet dhe punën që zyrtarët bëjnë si dhe ka parë edhe ambientet të cilat janë shfrytëzuar si burg, në podrumin e objektit të qendrës dhe ka thënë se ky burg do të kthehet në muze, me qëllim të dokumentimit të historisë tonë të trishtë, vend në të cilin kanë përjetuar tmerre shumë intelektualë shqiptarë të kohës së pasluftës së dytë botërore të shek. 20.

Ministrja Dumoshi u shpreh gjithashtu se QRTK-ja në Prizren ka një staf dhe planprogram profesional i aftë për zhvillimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore, si pjesa më e rëndësishme e historisë së Kosovës.

“Me drejtorin e Qendrës, ne biseduam dhe posa e vizituam burgun famëkeq, dhe këtë burg ne do ta zhvillojmë do ta bëjmë si muze që do të dokumentohen historia jonë e trishtë, e njerëzve të cilët kanë kaluar, dhe të cilët edhe sot nuk gjinden as eshtrat e tyre, njëri prej tyre është edhe familjar i imi. Për mua është emocion i veçantë, po në këtë burg, vet shkrimet të cilat janë shkruar, dhe notat e muzikës, tregojnë që pjesa intelektuale ka përjetuar torturat me të rënda në këtë vend”, ka thënë Dumoshi.

Ndërsa, drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, Samir Hoxha, u shpreh se në bodrumet e objektit ka qenë një qendër paraburgimi, në vitet 1945-1965, që nga koha e Ozna-s.

Mst. Dumoshi: Familjet kanë pasur durimin dhe kurajën t’i ruajnë shtëpitë

“Familjet në Prizren, e kanë ditur rëndësinë që kanë shtëpitë dhe nuk i kanë lëshuar ato dhe kjo gjë më la mbresë të madhe dhe ne si ministri kemi ndërhyrë për t’i restauruar shtëpitë e këtyre familjeve me qëllim të ruajtjes së trashëgimisë tonë kulturore”, është shprehur ministrja Dumoshi, pas vizitës së shtëpive.

Ministrja ka thënë gjithashtu se MKRS-ja do të punojë edhe në rrugën ‘Marin Barleti’ dhe ky projekt do të finalizohet shumë shpejt.

Mst. Kalaja e Prizrenit, objekt i rëndësisë së veçantë të trashëgimisë

Ministrja Dumoshi dhe një pjesë e stafit të MKRS-së kanë vizituar edhe Kalanë e Prizrenit. Ministrja ka thënë se në ditët në vijim do të nënshkruajë planin e menaxhimit për këtë objekt të rëndësisë së veçantë të trashëgimisë kulturore jo vetëm të Prizrenit por të gjithë Kosovës.

“Bashkë me zotin Gashi biseduam për plotësimin e stafit të Kalasë, dhe ajo do të ketë ciceronin edhe zyrtarë të mbikëqyrjes dhe mjeshtrive të ndryshme të cilat janë mjaft specifike”, tha ndër të tjera ministrja, e cila përmendi se edhe gërmimet arkeologjike në kala duhet të vazhdojnë.

Ndërkaq, Shafi Gashi, arkeolog dhe menaxher i projektit të Kalasë së Prizrenit, tha se vizita e ministres në Kala, tregon përkushtimin e ministres dhe MKRS-së që kanë për objektin dhe për trashëgiminë kulturore në përgjithësi.

Po ashtu, ministrja Dumoshi, gjatë vizitës së sotme në Prizren, ka takuar edhe filigranë, të cilët me mjeshtrinë e tyre, realizojnë stoli të ndryshme./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme